Nga Erion Shkambi* DURRËS- Kukësi gjen terrenin e duhur dhe kundërshtarin ideal për të lënë pas zhgënjimin e pësuar javën e shkuar. Në “Niko Dovana” armata e veriut mposhti me rezultatin e pastër 0-3 Teutën.

3 gola për 3 pikë dhe rikthim me kohë të plotë në garën për titull. Skuadrës së drejtuar nga Artim Shaqiri i mjaftuan 45 minuta për të hipotekuar fitoren e 10-të sezonale. Me një Pero Pejiç të rikthyer në ditët më të mira, Kukësi e ka të lehtë të shkojë tek goli, kjo dhe për meritë të Kushtrim Lushtakut.

Mesfushori shërben në mënyrë perfekt në zonë, ku Pejiç i pashqetësuar kalon verilindorët në avantazh. Sulmuesit kroat do ti mjaftonin vetëm 5 minuta për të dyfishuar rezultatin. Hair Zeqiri projekton një kundërsulm të shpejtë, ku Pejiç i shërbyer nga fantazisti vlonjat gjen devijimin me fat për të çuar shifrat në 0-2.

Të pa motivuar dhe në dizavantazh të dyfishtë durrsakët gabojnë, më Lushtakun që përfiton në maksimum, duke realizuar një gol të gjithin personal. Me tri pikët në kasafortë trajneri Shaqiri bën rotacion të plotë me rikthimin e skuadrës në fushë, duke nisur fraksionin e dytë me dy ndërrime të menjëhershme.

Me Teutën të dorëzuar miqtë menaxhojnë qetë minutat e mbetura, madje duke kërkuar dhe gola për katalog, si në rastin e Dushkut në minutën e 83-të. Me humbjen e 5-të në 5 takimet e fundit Teuta konfirmon se lufta e saj zhvillohet në zonën e ftohtë, ku termi mbijetesë do e shoqërojë gjatë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: