Trajneri Edi Martini është vetëm një hap larg historisë me ekipin e Teutës së Durrësit për t’u shpallur kampionë të Superligës.

Teuta mori një barazim 0-0 me Laçin, por dhurata e vërtetë erdhi nga Tirana ku Vllaznia mposhti 0-1 Partizanin që mbante kreun e tabelës.

Martini kthehet pas në kohë dhe kujton kohën kur Vllaznia ra nga Superliga dhe mbijetoi Kamza, ndërkohë që këtë ai e quan karma.

Gjatë një interviste pas ndeshjes ai ka qenë në lot prej emocioneve dhe gëzimit teksa thotë se në zemrën e tij ndodhet ende Vllaznia.

Tashmë Teuta luan ndeshjen e fundit ndaj Apolonisë që mban vendin e fundit në renditje, është e rrëzuar matematikisht nga kategoria dhe nuk ka më objektiva.

“Vllaznia dhe Laçi ndeshen njëra me tjetrën, janë skuadra shumë të forta për goleadë. Ne luajmë me Apoloninë, e rënë nga kategoria, nuk ka motivimin për të vazhduar, do e kemi më të lehtë. Ne kishim në nxehmje dhe 2 sulmuesë të tjerë. Me shënimin e golit nga Vllaznia, kemi futur mbrojtësa, për të ruajtur rezultatin.

Sot jam i gëzuar dhe kam shumë unë emocione. Janë ata që kanë fituar kupë dhe superkupë, janë afër kampionatit. I përgëzoj dhe jam krenar për ta.

Po të ma hapësh zemrën kam Vllazninë. Karma kthehet. Partizani sado që i iku ambulanca, sado që shpëtoi Kamza dhe Vllaznia ra nga kategoria, karma ndonjëherë të kthehet. Kam hedhur një status që jeta vazhdon. Unë sot nuk dua të merrem me asnjë, dua të merrem me veten”, u shpreh Martini.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb