Teuta nuk humbet kohë, kampionët reagojnë shpejt, harrojnë humbjen përballë Tiranës, e para sezonale, dhe rikthehet me një tre pikësh të artë përballë Egnatias. Kjo ishte pikërisht sfida e duhur për të treguar pjekurinë e një ekipi kampion, kaluan me qetësi një test delikat pasi rrogozhinasit vinin me shumë entuziazëm dhe dëshirë pas fitores kundër Laçit.

Diferencat nuk ishin të mëdha në fushë, në fund ai që vendosi ishte Sherif Kallaku që u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Pas një kalendari asfiksues, ku në 6 javë, u përballen më të gjithë favoritët, mbase përjashto vetëm Egnatia, tani Edi Martini dhe ekipi i tij mund të marr pak frymë, më në fund kalendari vjen në zbritje, ku në 3 javët e ardhshme, luajnë me 3 ekipet që janë në gjysmën e dytë në tabelës, Kastrioti, Laçi dhe Skënderbeu.

Në kampin rrogozhinas kanë pak mllef për këtë humbje të pësuar, një penallti që i rri ngushtë, por trajneri Magani ka ndërtuar një ekip solid, i cili mbase nuk i ka mundësitë për të parë lart në tabelë por qëndrojnë në pozita komode në mesin e artë, në kuotën e 8 pikëve.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb