Shtatë ish-udhëheqës politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) po mbahen në paraburgim në Hagë. Ata akuzohen për një sërë veprash, nga ato për frikësim të dëshmitarëve që rëndojnë mbi ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës e deri te vrasjet dhe trajtimi mizor i njerëzve, për të cilat akuzohen ish-krerët e UÇK-së si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Salih Mustafa.

Objekti i Paraburgimit i Gjykatës Speciale ndodhet në kompleksin e burgut Haaglanden në Hagë. Ky burg është unik në Holandë dhe i vetmi ku për të paraburgosurit ofrohen 24 orë në ditë shërbime të trajtimit fizik dhe psikiatrik. Haaglanden është i vendosur në Scheveningen dhe mund të strehojë rreth 200 persona, shkruan Gazeta Express.

Përmes një video-story të publikuar në ëeb-faqen e këtij burgu në internet, është paraqitur puna e përditshme e disa punëtorëve brenda tij. Në Qendrën Psikiatrike të Burgjeve bëhet kujdesi dhe trajtimi i të burgosurve me probleme psikiatrike, ndërsa në pjesën tjetër të institucionit, Qendrën Gjyqësore për Kujdesin Somatik ofrohet kujdes mjekësor.

“Unë quhem Edith. Kam 20 vjet që punoj këtu në Qendrën Gjyqësore të Kujdesit Somatik. Shpesh njerëzit kanë ankesa psikologjike, por në parim ne mund të kujdesemi për të gjithë këtu”, është shprehur një infermiere.

“Dallimi lidhur me punën në këtë institucion dhe si infermiere në spital është se ju keni mbikëqyrje të vazhdueshme këtu dhe kjo gjithashtu të jep një ndjenjë shumë të sigurt”, ka thënë ajo. Ëilbert, oficer i sigurisë në këtë burg, ka thënë se për të “gjëja më e rëndësishme është ruajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë për stafin, të paraburgosurit dhe vizitorët”. Ndërsa, një psikolog i këtij burgu ka treguar, po ashtu, sfidat lidhur me punën e tij të përditshme.

“Emri im është Björn, unë punoj këtu si koordinator i trajtimit dhe psikolog. Këtu gjenden njerëz me probleme komplekse psikiatrike të cilët nuk kanë qenë në gjendje të mbijetojnë në shoqëri ose të cilët gjithashtu janë ndaluar në klinikat e shëndetit mendor. Kur njerëzit hyjnë këtu, ata shpesh janë paksa të hutuar, shpesh janë thjesht në krizë ose duke u përballur me krizë psikiatrike. Ne në fakt përpiqemi t’ua sqarojmë sa më shpejt që të jetë e mundur kur ata janë këtu se çfarë po ndodh me ta dhe pastaj të shohim se për çfarë trajtimi kanë nevojë”, është shprehur ai.

Sipas rregullave të brendshme të burgut Haaglanden, vizitat për personat që mbahen në këtë objekt janë një orë në javë.

Të paraburgosurit dhe ata që vizitojnë këto qendra të shëndetit brenda burgut, kalojnë disa kontrolle në hyrje-dalje që nisin përmes biometrisë me skanimin e gishtit. Këto qendra të shëndetit ofrojnë terapi të ndryshme për pacientët si ushtrime, psikoterapi, terapi muzikore, krijuese etj.

Por për trajtimin që po ua bëjnë pjesëtarët e sigurisë së Gjykatës Speciale janë ankuar në paraqitjet e tyre të para dy ish-krerët e UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në paraqitjen e tij të parë para Gjykatës Speciale nuk ka pasur vërejtje për trajtimin ndaj tij. Për dallim nga dy ish-bashkëluftëtarët e tij, Selimi ka thënë se i kupton rregullat dhe s’ka vërejtje në këtë aspekt. “Unë i kuptoj rregullat për të ardhur deri këtu, prandaj nuk ka diçka që mund ta nxjerr si vërejtje”, tha Selimi.

Ndryshe nga Selimi, ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi janë ankuar të hënën në paraqitjet e tyre të para para Gjykatës Speciale për trajtimin e keq që thanë se po ua bën institucioni që u themelua me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Krasniqi, që u paraqit i pari para Speciales nga katër ish-krerët e UÇK-së që u përfshin në një aktakuzë të përbashkët, u shpreh i mllefosur me trajtimin që iu bë. Ai tha se vetë nuk e ka trajtuar asnjëherë askënd në atë mënyrë.

“Unë dua të deklaroj sot se kurrë në jetën time, në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit as kaq sa e si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut deri në këtë ndërtesë. E theksoj, kurrë në jetën time s’kam trajtuar njerëz në këtë mënyrë”, deklaroi Krasniqi.

Ndërsa, David Hooper, avokat i ish-presidentit Hashim Thaçi u shpreh i shqetësuar për reputacionin e klientit të tij, ndërsa e vlerësoi të turpshëm transferimin e Thaçit me pranga në duar nga objekti i paraburgimit deri në sallën e gjyqit.

“Shpresoj që me kalimin e kohës reputacioni i këtij personi të vihet në vend. Ishte për të ardhur turp që e pashë me pranga”, tha avokati Hooper.

Të martën, në një përgjigje për Express, Gjykata Speciale e ka arsyetuar sjelljen e pjesëtarëve të sigurisë së këtij institucioni në raport me dy ish-krerët e UÇK-së, duke thënë se ndjekin standardet më të larta ndërkombëtare për trajtimin e të paraburgosurve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: