Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur në mbrëmjen e së martës një konferencë për media, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, pas kthimit të tij nga Berlini, ku mori pjesë në Samitin për Ballkanin, të organizuar nga Gjermania dhe Franca.

Thaçi ka folur për zhvillimet në këtë samit, teksa ka vlerësuar pjesëmarrjen në të edhe të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. “Ishte e rëndësishme pjesëmarrja në takim e zonjës Mogherini, për t’i dhënë kuptim më evropian dhe më gjithëpërfshirës këtij procesi”, ka deklaruar ai. Thaçi ka shprehur mirënjohje “për rolin aktiv, dhe tani më mobilizues dhe angazhues të kancelares (Angela) Merkel”.

Presidenti kosovar ka përmendur edhe pjesëmarrësit tjerë nga vendet e rajonit, të cilët, sipas tij, “kanë theksuar qartë dëshirën, nevojën, dhe domosdoshmërinë që rajoni i Ballkanit Perëndimor të lëviz më shpejt drejt së ardhmes evropiane”. “Dua të besoj që në një Evropë më të bashkuar dhe më të fortë, gjërat do të zgjidhen më shpejt rreth Ballkanit Perëndimor”, është shprehur Thaçi, shkruajnë mediat e Kosovës.

Ai ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave. “Pozicioni ynë ka qenë shumë i qartë. Shteteve të BE’së u kam drejtuar kërkesë për qartësim, sa i përket domosdoshmërisë për liberalizimin e vizave”, ka thënë Thaçi. “Mendoj që do të kemi një reflektim. Kemi sinjalet e para, që do të mund të lëvizet… jemi me shpresë dhe me optimizëm, në mënyrë që të respektohet kontrata e BE me Kosovën”, ka deklaruar presidenti i Kosovës.

“Deri më 2016 ka qenë si kusht demarkimi i kufirit me Malin e Zi. E kemi kryer… Që dy vite jemi në pritje krejt të panevojshme. Është diskriminim, dhe ndëshkim për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai më tej. Thaçi ka shprehur optimizëm se porositë e Kosovës “do të merren seriozisht” dhe se shtetet e BE’së “do të japin mbështetje më praktike dhe më të prekshme që në të ardhmen e afërt të ndodhë liberalizimi i vizave”.

“Në të kundërtën”, ka thënë ai, “do të ishte zhgënjim i madh i qytetarëve të Kosovës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb