PRISHTINE- Një grup alpinistësh kosovarë u pritën sot në një takim nga presidenti Hashim Thaçi, i cili u dorëzoi edhe flamurin e Kosovës, për ta ngritur në majën e Everestit.

“Përmes sukseseve në shumë disiplina sportive, kosovarët janë duke forcuar identitetin shtetëror dhe duke e promovuar Kosovën në botë. Jam i vetëdijshëm për rreziqet që paraqet kjo ekspeditë dhe do t’iu mbështesim në çdo hap”, tha Thaçi.

Sipas tij, pushtimi i majave të Everestit dhe ngritja e flamurit nga ju, do të jetë një lajm i jashtëzakonshëm për Kosovën.

Nga ana tjetër, udhëheqësi i grupit të alpinistëve, Nazmi Hasanramaj, u shpreh se kjo ekspeditë i kushtohet shtetit të Kosovës, dhe për porosi ka paqen dhe promovimin e shtetësisë.

“Qëllimi final është ngritja e flamurit të Kosovës në Everest, që sot na dhuruat”, shtoi ai.

Grupi i përbërë nga Nazmi Hasanramnaj, Qëndrim Sopi, Arineta Mula dhe Haki Hasanramaj po vazhdojnë përgatitjet për ngjitjen e vargmaleve më të larta në botë, të cilat janë mbi 8800 metra të larta.

“Prej tre vjetësh jemi duke u përgatitur. Përgatitjet psikofizike jemi duke i vazhduar intensivisht, ndërsa profesionalisht dhe shpirtërisht jemi përgatitur për të gjitha sfidat, rreziqet dhe sakrificat e mundshme që mund të na presin atje”, tha Hasanramaj.

Presidenti Thaçi vlerësoi guximin e alpinistëve për këtë iniciativë dhe rrugëtim me sakrifica.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: