Pasi presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i kërkoi Vetëvendosjes emrin e mandatauesit të qeverisë, vjen një reagim nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Kërkesa në fjalë vjen pasi Kuvendi votoi mocionin e rrëzimit të qeverisë më 25 mars.

Thaci, ashtu siç edhe e paralajmëroi në emisionin Pressing të mërkurën, kërkoi nga VV emrin e mandatarit, pasi kjo e fundit është dhe partia fituese e zgjedhjeve, duke respektuar kështu Kushtetutën dhe rolin e tij si president. Por Kurti pretendon se presidenti po anashkalon një nen në Kushtetutë rreth situatës pas votimit të mocionit.

REAGIMI I KURTIT
Ajo që ishte e nevojshme por nuk u bë, përbën shkelje. Presidenti ka vendosur të anashkalojë nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili i referohet situatës pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë. Presidenti po sillet thua se Qeveria varet nga Kuvendi por ky s’varet nga populli, thua se zgjedhjet demokratike janë mjet por jo edhe vlerë.
Ajo që ishte e panevojshme por u bë, po ashtu përbën shkelje. Presidenti takoi gjitha partitë parlamentare politike, dhe, më pas kërkoi nga subjekti ynë fitues i zgjedhjeve të propozojë kandidatin për Kryeministër. Pra, Presidenti nuk është neutral, ai ka interes politik dhe synim personal, gjersa duhej t’ishte i paanshëm e procedural. Disi don të besojë se 25 marsi 2020 ka ndodhur pa 3 shkurtin 2020!
Sidoqoftë, ne do t’i përgjigjemi, në një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: