MALI I ZI- Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka filluar sot vizitën e parë zyrtare në Mal të Zi, ku do të pritet nga krerët më të lartë të këtij shteti. Mediat malazeze njoftua se zëvendëskryeministri kosovar do të ruhet nga 1200 policë, kjo pasi ndaj vizitës së tij është paralajmëruar një protestë. Po kështu mësohet se edhe ambasada e Kosovës në Mal të Zi ndodhet nën masa të rrepta sigurie.
Ndërkohë në axhendën e zëvendëskryeministrit Thaçi është parashikuar fillimisht një takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm dhe Integrimeve Evropiane të Malit të Zi, Igor Lukshiç.
Më pas, Thaçi do të takohet edhe me kryeministrin, Milo Gjukanoviç, me presidentin Filip Vujanoviç si dhe me kryetarin e parlamentit, Ranko Krivokopiç. Në këto takime do të diskutohet për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, shkëmbimin ekonomik, kulturor, për projekte të përbashkëta infrastrukturore, për bashkëpunimin rajonal dhe ndërtimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore.
Zëvendëskryeministri Thaçi gjatë qëndrimit në Podgoricë do të takohet gjithashtu me përfaqësuesit kryesore të bizneseve malazeze, ku do të kërkoi më shumë shkëmbim tregtar mes bizneseve kosovare dhe atyre të Malit të Zi.
Vizitën zyrtare ai do ta vijojë në Ulqin, ku në shenjë nderimi do të vendosë kurorë me lule në memorialin dedikuar të dëbuarve të luftës së Kosovës më 1999.
Ndërsa më vonë, Thaçi do të takohet me përfaqësuesit kryesorë politik shqiptarë, me të cilët do të bashkëbisedoj për gjendjen aktuale të shqiptarëve si dhe avancimin e drejtave të tyre në Mal të Zi.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb