PRISHTINE– Presidenti Hashim Thaçi deklaroi sot se “presim që në mesin e qershorit të marrim rekomandimin për liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian”.

Në një konferencë për shtyp, pas kthimit nga Samiti i Sofjes, Thaçi u shpreh se “pjesëmarrja e Kosovës në këtë samit është historike. Ajo ka marrë pjesë për herë të parë në historinë e saj në një samit të tillë”.

Sipas tij, pjesëmarrja në këtë samit ka qenë fitore diplomatike për Kosovën dhe për të gjithë anëtarët e BE-së që e njohin Kosovën dhe të tjerët që janë në proces të njohjes.

“Samiti ka treguar edhe një herë shumë fuqishëm perspektivën europiane të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në diskutime konkrete kemi qenë të përqendruar në tema të ndërlidhjes mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së dhe me temat e sfidat e sigurisë si, krimi i organizuar, terrorizimi dhe emigracioni ilegal”, – nënvizoi Thaçi.

Presidenti Thaçi u shpreh se “tema e ndërlidhjes është zgjeruar të përfshijë jo vetëm rrugët dhe hekurudhat, por edhe infrastrukturën dixhitale në sektorin e energjisë dhe të arsimit. Në fushën dixhitale është folur për shtimin e bashkëpunimit në fushën e teknologjisë, si ulja e tarifave roaming, eProkurim, eQeverisje, apo dixhitalizimin e industrive. Në sektorin e arsimit është vendosur të dyfishohen fondet për programin ‘Erasmus plus’”.

Thaçi tha se “liderët e shteteve të BE-së kanë miratuar Deklaratën e Sofjes, pas të cilës janë rreshtuar të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor”.

Duke shprehur mirënjohjen Presidentit bullgar Borissov, liderëve të shteteve anëtare të BE-së dhe institucioneve të BE-së, Thaçi tha se “Kosova është përfaqësuar denjësisht dhe ka pasur mundësi që t’i prezantojë rezultatet konkrete në të gjitha fushat”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb