Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka qenë në varrezat e viktimave të masakrës të Reçakut, një nga monstruozet që ka kryer Serbia në Kosovë.

Thaçi shprehet se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, kurse shton se shteti serb duhet të kërkojë falje për të gjitha krimet, pasi vetëm kështu mund të arrihet paqja e dëshiruar rajonale.

  • foto galeri

Postimi i Hashim Thaçit:

Masakra e Reçakut është një prej krimeve më mizore që shteti i Serbisë i ka kryer kundër popullsisë civile në Kosovë. Sot dhe përgjithmonë, duke kujtuar dhe nderuar të kaluarën tonë, ne do të ecim të sigurt drejt një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët tanë.

Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. I ka kryer rreth 400 masakra kundër civilëve shqiptarë. I ka vrarë rreth 13 mijë civilë të pafajshëm, ku prej tyre rreth 1 mijë e treqind ishin fëmijë, si dhe i ka dhunuar rreth 20 mijë gra shqiptare. Ata që i kanë kryer këto krime ende nuk janë hetuar dhe ende nuk kanë dalë para drejtësisë vendore dhe as ndërkombëtare.

E ardhmja nuk mund ndërtohet duke i mohuar krimet dhe duke i etiketuar apo fyer civilët e vrarë, por ndërtohet duke e pranuar përgjegjësinë, kërkuar falje dhe vendosur drejtësi.

Rajoni ynë mund ta arrijë pajtimin dhe të ndërtojë një të ardhme më të mirë vetëm duke u ballafaquar me të kaluarën e hidhur dhe duke siguruar drejtësi për viktimat! HTH

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb