PRISHTINE – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u prit sot në një takim në Bruksel nga Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz.

Në një njoftim për shtyp të Presidencës kosovare thuhet se Thaçi dhe Schultz biseduan për liberalizimin e vizave dhe përkushtimin e Kosovës në rrugën drejt së ardhmes evropiane.

Presidenti Thaçi duke e falënderuar Schultz për mbështetjen e tij, tha se “Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave dhe presidentit Schulz i tregova se qytetarët tanë e presin një vendim të merituar dhe të shpejtë nga Bashkimi Evropian”.
“Kosova mbetet e angazhuar në konsolidimin e mëtejshëm të shtetit”, u shpreh Thaçi.

Ai e falënderoi presidentin Schulz për angazhimin e tij, të raportueses së BE-së, Tanja Fajon, si dhe të Parlamentit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme dhe për shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Nga ana tjetër, Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, theksoi se liberalizimi i vizave është tema kryesore që preokupon Kosovën në marrëdhëniet e saj me BE-në.

Ai ka shprehur bindjen se për Kosovën do të ketë një vendim të merituar për angazhimin e saj në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të pritet edhe nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, si dhe do të zhvillojë takime edhe me zyrtarë të tjerë të Bashkimit Evropian.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: