PRISHTINE– Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në përvjetorin e shtatë të Gjykatës Kushtetuese tha se Kosova me themelimin e kësaj gjykate është përcaktuar për një shtet demokratik të lirë, e për liri të tregut. Ai ka theksuar se vendimet e kësaj gjykate janë vendimtare dhe duhet të respektohen. Për ta mbrojtur rendin tonë kushtetues, presidenti Thaçi ka thënë se ishte më se i domosdoshëm krijimi i një organi të pavarur të mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, i cili do të bënte edhe interpretimin përfundimtar të Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.

“Këtë detyrë dhe këto obligime po i përmbush me sukses Gjykata Kushtetuese”, ka thënë presidenti Thaçi. Efekti i vendimeve të kësaj gjykate, në kuptimin e fuqisë së tyre juridike, sipas presidentit Thaçi, është përfundimtar dhe ato nuk mund t’i nënshtrohen rishikimit nga cilido institucion apo mekanizëm shtetëror. “Zbatimi i këtyre vendimeve, duke filluar nga presidenti e deri tek të gjitha institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, ka treguar dhe po tregon se Gjykata Kushtetuese është një nga kontribuuesit më të mëdhenj në funksionimin e demokracisë në Kosovë”, është shprehur presidenti Thaçi.
Në këtë mënyrë, ai ka thënë se po ndërtojmë fuqishëm konceptin e Kosovës si shtet kushtetues, ku parimet kushtetuese po gjejnë shprehje në vendimet dhe veprimet e të gjitha institucioneve dhe autoriteteve shtetërore.

“Ruajtja e reputacionit dhe dinjitetit të Gjykatës Kushtetuese nënkupton edhe ruajtjen e reputacionit dhe dinjitetit të Republikës së Kosovës. Duke mbrojtur Kushtetutën ju mbroni Republikën, mbroni qytetarët dhe mbroni institucionet”, ka thënë presidenti Thaçi, përcjell express.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: