Nga Associated Press

Kryeprokurori i Shqipërisë u përfshi në një përballje hakërruese të enjten me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili e akuzoi atë për pengim të reformës në gjyqësor, që është jetike për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Adriatik Llalla e akuzoi Ambasadorin Donald Lu për “sulme tërësisht jodiplomatike” dhe gjithashtu për përdorimin e shantazhit për të mbyllur hetimin e një kompanie ndërkombëtare.

“Një presion i tillë nga Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë… përpiqet të manipulojë opinionin publik dhe të zhvlerësojë institucionet”, tha Llalla në një deklaratë të dërguar me e-mail tek “The Associated Press”. Më parë Lu akuzoi Llallën se “fliste me zë të lartë kundër reformës në drejtësi” dhe për shkelje të Kushtetutës duke propozuar një numër të kufizuar kandidatësh “të zgjedhur pa transparencë” për Këshillin e Drejtësisë.

Lu tha se SHBA-të dhe gjykatës e prokurorë të tjerë ndërkombëtarë nga vendet e BE-së do të vinin javës tjetër për të monitoruar procesin e reformës dhe të vlerësimit (vetting-ut) të zyrtarëve të emëruar në organet ekzekutive të drejtësisë. “Mesazhi im është i qartë. SHBA-të po e vëzhgojnë gjendjen këtu, ashtu si edhe vendet e BE-së, si edhe OSBE dhe Këshilli i Evropës gjithashtu. Populli shqiptar dhe shoqëria civile duhet t’i mbajnë sytë hapur që të ndalojnë këta njerëz të fuqishëm t’ju vjedhin dhe t’ju dëmtojnë”, tha ai.

Javën e kaluar Ambasada e SHBA-ve bëri të ditur, pa dhënë emra, se kishte tërhequr vizat për disa prokurorë dhe gjykatës shqiptarë, duke thënë se “do të vazhdojë të përdorë këtë autoritet për të përparuar përpjekjet e veta kundër korrupsionit në Shqipëri”. Llalla pranoi se ai dhe gruaja e tij ishin ndër të shënjestruarit.

Reforma e përgatitur me ndihmën e ekspertëve nga BE-ja dhe SHBA-ve dhe e shqyrtuar nga Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës, u miratua unanimisht në korrik të vitit të kaluar. Ajo ka për qëllim të garantojë pavarësinë e prokurorëve dhe gjykatësve nga politika dhe të çrrënjosë korrupsionin. Aktualisht, trupat e gjyqësorit janë duke zgjedhur institucionet e tyre ekzekutive. Por parti të opozitës si edhe disa shoqata të gjykatësve dhe prokurorëve e kanë kontestuar ashpër reformën dhe e kanë vonuar nisjen e saj. BE-ja kërkon rezultate konkrete përpara se të vendosë një datë për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë. Në vitin 2014, Shqipërisë iu dha statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE.
(Përktheu Ilir Sinanaj/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb