“Sapo kaluam kufirin shqiptar, afër Shkodrës ne u përballëm me një vendim: bregun apo malin?”. Kështu e nis përshkrimin e tij për Shqipërinë gazetari i “The Guardian”, Kevin Rushby, i cili pak kohë më parë ka vizituar Shqipërinë.

Teksa jep përshtypjet e tij për vendin e shqiponjave, Kevin thotë se gjuha shqipe është shumë e ndryshme nga çdo gjuhë tjetër, por nëse u flitet shpesh të huajve, ai beson se bëhet tërësisht e kuptueshme. Destinacioni i gazetarit dhe familjes së tij është Uraka dhe varrezat e vjetra të Selcës, duke zgjedhur kështu malin, në vend të bregut. Ai mahnitet nga Via Egnatia, e më pas nga Liqeni i Ohrit dhe fshati i vogël Lin, shkruan “Top Channel”.

“Shtëpitë janë të stolisura me lule, plakat me të zeza të ulura në hije dhe fëmijët që lozin jashtë me varka. Siç i themi njëri- tjetrit ‘do të ishte mirë të qëndronim në një prej këtyre shtëpive’, një grua e re na mirëpret në anglisht: “Doni të qëndroni në shtëpinë time?’, shkruan Kevin, duke përmendur edhe koranin e famshëm. Destinacioni i radhës ishte Dardha, ku autori veçon lakrorin, gatimin tradicional të zonës.

“Në fund të fundit, ne u lidhem thellë me këtë perlë të çuditshme e të lënë pas dore që quhet Shqipëri nga banorët e saj, dhe “Albania” për çdo njeri tjetër”, mbyll autori shkrimin për Shqipërinë, që është pjesë e turit të tij ballkanik.

Në shënimet e autorit thuhet se nuk pati problem të udhëtonte në Shqipëri. Një polic i ndaloi për t’i udhëzuar të përdorin dritat gjatë ditës, por vetëm kaq.

(Origjinali: http://www.theguardian.com/travel/2015/aug/15/east-european-road-trip-albania-tombs-via-egnatia)

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb