Prestigjozja britanike “The Sun” i ka bërë një analizë të hollësishme derbit mes vllezërve Xhaka në Ligën e Kampionëve, teksa Arsenali u ndesh me Bazelin në Londër dhe fitoi takimin me shifrat 2-0. Si Graniti ashtu edhe Taulanti qëndruan në fushë gjatë gjithë lojës.

Stili

Graniti duket në çdo aspekt një futbollist i klasit botëror. Ai luan me shumë stil, mbulon hapësirat në mesfushë, lidh lojën dhe kryen ndërhyrje kur nevojitet. Taulanti është e kundërta, i fortë, i vendosur dhe mundohet të bëjë më shumë përpjekje se i vllai. I gatshëm të gjendet gjithnjë aty ku është topi, madje edhe të rrezikojë për ta marrë atë, mbrojtësi i Bazelit është lloji i futbollistit me grintën maksimale.

Ndërhyrjet

Taulantit i pëlqen të ndezë lojën dhe të tregojë që është pjesë e saj, ndaj nuk humbi kohë para se të kryente një ndërhyrjë të rrezikshme ndaj Aleksis Sançezit. Graniti gjithashtu nuk tutet për të bërë ndërhyrje, por ai kaloi një lojë shumë të qetë, madje kishte raste që nuk kishte nevojë të bënte diçka të tillë. Megjithatë ishte një moment teksa pengoi Aleksandër Franson, thjesht për t’i bërë të ditur Bazelit që po luante dhe ai.

Ndikimi

Me Granitin në para linjës së mbrojtjes, Arsenali kishte shumë balancë në ekip. Ndoshta sepse përballë ishte një Bazel i dobët, por mesfushori ishte i qartë në lojë dhe lejoi organizatorët të krijonin. Taulanti nuk duhet të jetë i kënaqur me rolin e tij te goli i parë i Arsenalit, duke qënë se i dha mundësinë Teo Uollkotit të shënonte, por më vonë e përmirësoi paraqitjen e tij teksa bëri disa bllokime të rëndësishme, madje i mohoi Mesut Ozilit një gol të sigurt.

Rëndësia në skuadër

Graniti është ende në fillim të karrierës së tij te Arsenali dhe ende ka pikëpyetje mbi rëndësinë e tij, po shenjat janë premtuese. Ylli i Zvicrës fal siguri në pozicionin përpara mbrojtjes, por duhet të mposhtë konkurrencën me Kokuelin për t’u bërë titullar i rregullt. Taulanti është shumë i rëndësishëm për Bazelin në mbrojtjen me 5. Nuk është i gjatë si mbrojtësit e tjerë, por është një lider që nuk ndalon kurrë së organizuari shokët e skuadrës.

Vendimi

Është e vështirë të kritikosh Taulantin, duke qënë se shpesh herë u përball me një Arsenal të papërmbajtshëm. Por ai ka përgjegjësi te goli i parë që bëri Arsenalin të merrte frenat e lojës, ndaj vllai i tij Graniti kalon një ndeshje pa probleme. I vendosur, efektiv dhe i sigurt, ai duket një investim i mirë për “Gunners”. /panoramasport/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: