Një ish- ushtarak i Wehrmacht-it (njësi ushtarke naziste), i cili drejtonte kullat e vrojtimit në një kamp të burgosurish lufte në Luftën e Dytë Botërore, është paditur nga prokurë gjermanë.

Ky mund të jetë fillimi i një serie të re ndjekjesh penale për krimet e luftës naziste, pasi fokusi ka qenë më parë në kampet e përqendrimit.

Prokuroria e Berlinit ka akuzuar 98-vjeçarin nga Berlini për bashkëpunim të dyshuar në vrasjen e të burgosurve sovjetikë në kampin e të burgosurve “Stalag 365” në qytetin Volodymyr-Volynskyy në atë që tani është Ukraina perëndimore.

Sipas aktakuzës, 98-vjeçari ka shërbyer në këtë kamp nga nëntori 1942 deri në mars 1943, ndërkohë që vetëm gjatë një viti që ky persona ka qenë në detyrë, kanë humbur jetën të paktën 809 të burgosur sovjetikë të cilët vdiqën nga kequshqyerja, sëmundjet, puna e detyruar dhe mungesa e kujdesit mjekësor

“Ai akuzohet se ka qenë i vetëdijshëm për privimin dhe urinë e robërve të luftës dhe në këtë mënyrë e ka shpallur veten fajtor. Është ndryshe nga rastet e tjera, sepse ata gjithmonë kanë të bëjnë me kampet e përqendrimit”, ka deklaruar për The Times një zëdhënëse e gjykatës penale në Berlin.

Prokuroria ka përmendur “mizorinë”, si një nga faktorët që kanë ndikuar në vdekjen e kaq shuëm të burgosurve.

Gjykata i ka kërkuar prokurorisë të japë informacione të mëtejshme dhe ende nuk dihet nëse i pandehuri do të dalë në gjyq.

Në se merret vendimi që 98-vjeçari të dalë në gjyq, kjo do të kthente vëmendjen në vdekjen e më shumë se tre milionë të burgosurve sovjetikë nga duart e robëruesve të tyre gjermanë.

Kjo do të nxirrte në pah gjithashtu se nuk ishin vetëm nazistët fanatikë ato që kryenin krime gjatë Luftës së Dytë Botërore, por se ato kryheshin edhe nga ushtarët e thjeshtë.

Kjo mbetet një burim polemikash në Gjermani, sepse përkthehet në faktin që çdo familje gjermane do të ketë të paktën një kriminel të mundshëm lufte në gjirin e saj.

Aktakuza vjen pas një vendimi historik kundër John Demjanjuk , një ish-roje i kampit të shfarosjes i dënuar në vitin 2011, i cili krijoi një precedent për gjykatat për të dënuar personelin e rangut më të ulët – edhe ata që nuk i kryejnë fizikisht krimet – me arsyetimin se thjesht prania e tyre në kampe ku ndodheshin vrasjet sistematike mjaftonte për t’i bërë ato pjesë të krimeve.

“Do të ishte tashmë një hap i madh nëse gjykata do ta pranonte aktakuzën,” tha për The Times Thomas Will, kreu i Zyrës Qendrore të

Administratave Shtetërore të Drejtësisë për Hetimin e Krimeve Nacional Socialiste në Ludëigsburg .

“Kampet e të burgosurve të luftës shkuan absolutisht në të njëjtin drejtim si kampet e përqendrimit. Fakti është se në kampet e të burgosurve të luftës, veçanërisht ato me robërit e luftës sovjetike, kushtet ishin katastrofike dhe mund të flitet edhe për vrasje sistematike për shkak të kushteve të tmerrshme atje. Në disa raste, të burgosurit ishin të ekspozuar ndaj motit dhe të ftohtit në një livadh të rrethuar pa strehim ose veshje të përshtatshme”, u shpreh ai, teksa shtoi se kampet e përqendrimit nuk drejtoheshin vetëm nga anëtarët e SS, por edhe nga trupat e Wehrmacht, veçanërisht personeli i marinës dhe i forcave ajrore të liruar për shkak të mungesës së pajisjeve.

“Për ne, nuk është çështja nëse dikush i përkiste SS-së apo Wehrmacht-it, por se ku ishte dhe çfarë bëri atje. Ne nuk bëjmë dallime të tilla”, tha Will.

Will tha se edhe të tjerë persona që kanë shërbyer si roje të të burgosurve mund të ndiqen penalisht, por nuk kishte gjasa të kishte një “përmbytje” të rasteve sepse shumë roje ose kanë ndërruar jetë ose janë shumë të vjetër tashmë për tu dënuar.

Gjatë luftës, personat që shërbenin në kampe, ishin ushtarë të moshuar ose me aftësi të kufizuara që nuk konsideroheshin të përshtatshëm për detyrën luftarake.

Gjykatat gjermane aktualisht janë duke ndjekur proceset për gjashtë ish ushtarakë të kohës naziste, duke përfshirë ish-staf në kampet e përqendrimit të Buchenwald, Ravensbrück, Sachsenhausen dhe Neuengamme.

Tri raste të tjera janë duke u shqyrtuar nga Zyra Qendrore, por nuk është e qartë nëse ato do të ndiqen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb