Milwaukee Bucks nuk e ka ndërmend të ndalet, teksa së fundmi mori fitoren e 15-të radhazi, duke mposhtur 118-104 rivalët e Brooklyn Nets jashtë fushe dhe konfirmohet si ekipi më i mirë në Konferencën e Lindjes.

Giannis Antetokunmpo realizoi 33 pikë e 15 rebound në rikthimin e tij në fushë, duke i bërë të pavlefshme 31 pikët e Bridges për vendasit. Bucks shkojnë në 44 fitore, duke u bërë skuadra më e mirë në NBA dhe thelluar rekordin e sukseseve radhazi për këtë sezon.

Në Perëndim, pa LeBron James skuadra e Los Angeles Lakers nuk arrin të fitojë, duke u mundur 121-109 nga Memphis Grizzlies. Anthony Davis relizoi 28 pikë e 19 rebound, por që nuk mjaftuan. Për Memphis shkëlqeu Morant, autor i një “triple double”, me 39 pikë, 10 rebound e 10 asist.

Humbja e dytë radhazi për Dallas Mavericks, që u mund 124-122 nga Indiana Pacers, ndeshje e vendosur në fund nga Haliburton, autor i 32 pikëve për miqtë. Për Dallas u dallua i zakonshmi Luka Doncic me 39 pikë, por që mbetën për statistikë.

Në krye të renditjes në Perëndim qëndron skuadra e Denver Nuggets, që mposhti 133-112 Houston Rockets, ndeshje ku Murray realizoi 32 pikë, ndërsa Jokic regjistron triple-double të radhës, me 14 pikë, 11 rebound dhe 10 asit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb