Thellohet skandali me linjën e transmetimit të energjisë Shqipëri-Kosovë që iu kushtoi taksapaguesve 70 milionë euro dhe që aktualisht është jashtë funksionit.

News24 mëson se një muaj pasi Operatori i Sistemit të Transmetimit njoftoi që linja 400 kv Shqipëri-Kosovë ka nisur operimin, 4 shtylla të tensionit të lartë të ngritura në territorin e Shqipërisë, janë rrëzuar duke penguar transmetimin e energjisë mes dy vendeve.

Ndërkohë që në anën e Kosovës situata paraqitet krejt ndryshe; investimi i kryer nuk ka pësuar asnjë dëmtim ndonëse moti i keq ka pushtuar të gjithë vendet e rajonit. 10 vite pas marrjes së borxhit për këtë linjë, teksa Shqipëria ka shlyer gjysmën e kredisë për ndërtimin e saj, ky investim nuk ka arritur të jetë frytdhënës.

Në lidhje me mosfunksionimin e investimit prej 70 milionë euro Kryeministri Rama u pyet në konferencën e përjavshme por ju shmang përgjigjes se pyetjes lidhur me linjën 400 kv Shqipëri-Kosovë.

“Po pse mo çfarë çon linja e interkonjeksionit ujë çon në Kosovë? Ujë me tela çon apo është ajo lidhja e ujit me djathin. Ku i gjeni këto se çmendët një milet të tërë”.
Por mesa duket 70 milionë euro investim deri tani kanë shkuar dëm, pasi për shkak të tenderave të dyshimtë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe rrjedhimisht të cilësisë së dobët të punimeve, linja e transmetimit nuk funksionon.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: