Thellohet skandali me punimet shtesë për lotin 3 të Unazës së Madhe për segmentin nga nënkalimi i Astirit deri tek Pallati me Shigjeta me kosto 4,2 milionë euro. Sipas dokumenteve teknikë të ARRSH-së, rezulton se projekti i parë që ka gllabëruar mbi 9 milion euro për rehabilitimin e vetëm 800 metra rrugë ka qenë gabim. Nga matjet e bëra ka rezultuar se sforcimet vepruese në tabanin e disa pjesëve e tejkalonin sforcimet e lejuara.

“Llogaritjet numerike të sforcimeve vepruese në tabanin e strukturave M1, M2, M3 dhe M4 (sikundër dhe në harmoni të plotë edhe për strukturën U0, U1, U2, U3, U4 për shkak të karakteristikave të njëjtë të shtresave si edhe për shkak të ngarkimit të njëjtë prej veprimeve të trafikut), të pasqyruara dhe të sqaruara në Aneksin 2 i cili është bashkangjitur këtij relacioni teknik dhe që konsiderohet si pjesë tërësore e tij, treguan që sforcimet vepruese mbi tabanin e jastëkut [themelit masiv] i tejkalonin sforcimet e lejuara”.

Për të zgjidhur problemin, në relacionin Teknik pranohet se duhen themele më të thella se ato që janë ndërtuar deri tani.

“Bazamenti nuk siguron aftësinë mbajtëse të kërkuar për përballimin e veprimeve dhe ngarkesave në ballina. Duhet të merret në konsideratë mbështetja e ballinës mbi themele të thella.

Pas vlerësimit dhe kontrollit numerik të sforcimeve në tabanin e themelit masiv, si edhe bazuar në klasën e rëndësisë së veprës, u vendos që strukturat të kenë themele të thella, që të transferohen me sukses të gjitha veprimet llogaritëse tek nën-shtresat me aftësi të lartë rezistuese.”

Aktualisht në lotin tre të këtij segmenti punimet po kryen nga kompania “Victoria Invest”, cila në fund të 2018 fitoi tenderin me një vlerë të majme prej 1,17 miliardë lekësh, ose mbi 9 milionë euro me kursin e atëhershëm valutor. Bashkë me faturën që shkon për qytetarët kosto e këtij segmenti prej më pak se 800 metra rrugë shkon në rreth 14 milion euro. Nuk dihet ende nëse kemi të bëjmë me projektim gabim të veprës që në fillim, apo thjesht ARRSH në varësi direkte të Belinda Balluku ka shpikur një preteks për të dorovitur miliona euro të tjera gjatë fushatës elektorale. Në dy rastet kemi përgjegjësi penale të pastra për të cilat prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb