Nga: ANISA YMERI
TIRANE – Gjergji Thimo, aktualisht i burgosur me akuzën e trafikut të veprave të artit, e ka pasur në ruajtje koleksionin e tij të ikonave, që pasurohej vit pas viti, por institucionet shtetërore i cilësojnë 476 objektet e sekuestruara prej tij në vitin 2013, si “thesare të shpëtuara”. Andaj kështu është pagëzuar ekspozita e çelur në Muzeun Historik, në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, ku janë ekspozuar vetëm 62 objekte prej koleksionit të tij.
E qëllimi i ekspozimit, ka qenë ky: “Janë ekspozuar edhe për vlerat dhe për interesin artistik dhe historik. Por gjykuam që kishte vlerë të zgjidhnim dhe disa objekte të cilat tregojnë se si është keqpërdorur ai koleksion.”- deklaroi Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës.

Pikëpyetjet se çfarë do të ndodhë me këtë koleksion, gjatë këtyre viteve nuk kanë munguar dhe akuzat e koleksionistit Thimio gjithaq. Por për ministren Kumbaro, situata sot është e qartë!

“Vendimet gjyqësore kur marrin formë të prerë, janë të pakthyeshme. Dhe sot ne jemi këtu si një ndër etapat që ka ardhur si pasojë e zbatimit të vendimit të shtatorit 2015. Vendim i cili ja kalon koleksioni, Fondit Publik të Trashëgimisë dhe detyra e institucioneve të kulturës është të merret me administrimin e objekteve që ka në Fondin e saj të Trashëgimisë Kulturore. Në funksion të kërkesave dhe seleksionimit, jemi duke diskutuar që një pjesë e tyre të kalojë në fondin e Muzeut Historik Kombëtar dhe një pjesë tjetër në fondin e Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë.”- deklaroi ministrja Kumbaro.

Pas 3 vjetësh pune intensive, këto objekte janë të kataloguara të gjitha, shumë prej tyre kanë qenë të regjistruara edhe më herët, po në këtë qendër inventarizimi, nga punonjës të tjerë shteti. Megjithëketë, Znj. Breshani ka këtë shpjegim zyrtar.

“Nuk mund të jetë kurrë trashëgimi familjare. Në deklarimet e ’95 si koleksion që zoti Gjergji Thimio ka kërkuar të marrë certifikimin si muze, kanë qenë vetëm 121 vepra. Nga këto që ndodhen në koleksion, nuk janë më shumë se sa 50 objekte që kanë qenë të regjistruara pranë databazës kombëtare.”- deklaroi Silvana Breshani, Qendra e Inventarizimit

Po ke këto 50 vepra të regjistruara, çfarë do të ndodhë, do t’i kthehen koleksionistit, sikundër ai pretendon?

“Organet kompetente kanë deklaruar të kundërtën, që këto objekte janë shkëputur nga konteksti ku janë marrë.”- u shpreh Breshani.

Janë 15 specialistë të cilët në këto 3 vite kanë punuar që një pjesë e koleksionit të jetë i ekspozuar dhe deri më 8 Tetor në këtë sallë të muzeut, do të mund të shihni ikona, ikonostasë, e të gjitha nga koleksioni, dikur privat i Gjergji Thimios, i cili aktualisht vuan dënimin.
(er.nu/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb