Një 21-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa akuzohet se qëlloi me armë zjarri në ajër në fshatin Arrameras. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin me inicialet L. B., banues në fshatin Borizanë, i dënuar më parë vjedhje.

21-vjeçari rezulton të jetë me precedent penal në fushën e vjedhjes së pronës dhe armëmbajtjes pa leje.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, pas njoftimit se në fshatin Arrameras, kishte të shtëna me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me forcën operacionale të DVP Durrës kanë shkuar në drejtim të vendit ku ishte dhënë njoftimi. Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe informacioneve të marra në rrugë operative u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit L. B., 21 vjeç, banues në fshatin Borizanë, i dënuar më parë vjedhje.

Ky shtetas kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, kishte shkuar në fshatin Arrameras dhe në orët e mbrëmjes ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në ajër, në afërsi të banesave. 21-vjeçari, sapo ka parë shërbimet e Policisë ka fshehur armën e zjarrit dhe është larguar, por është kapur disa minuta më vonë. Vijon puna për gjetjen e armës së zjarrit pistoletë me të cilin 21-vjeçari ka qëlluar në ajër. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb