TIRANË

Deputeti i PD-së Luçiano Boçi ka qenë sot në studion e News24, në rubrikën “Opinion” ku ka folur për situatën në PD dhe debatin e fundit pas thirrjes së mbledhjes së grupit nga Enkelejd Alibeaj, i cili u shkarkua si kreu i grupit në Kuvendin e 30 prillit.

Boçi dha arsyet sepse mbledhja e grupit nga Alibeaj është nul dhe theksoi se ai nuk mund të marrë këtë tagër në mënyrë personale.
“Është nul sepse së pari në raport me zhvillimet brenda PD-së në Kuvendin e datës 30 ne kemi një shkarkim nga detyra të z. Alibeaj çka do të thotë që nuk është më përfaqësuesi kryesor i grupit parlamentar të PD-së. Përpos kësaj unë dhe në mbledhjet e mëparshme të grupit kam shfaqur shqetësimin që të zbatohet rregullorja, sipas të cilës është kryesia e grupit që vendos për mbledhjen e grupit dhe vendos për vendimmarrje si kjo e negicuatave për Presidentin. Këto janë arsyet bazike që e bëjnë nul mbledhjen e grupit parlamentar. Aq më tepër që z. Alibeaj nuk mund të marrë këtë tagër në mënyrë personale. Është qëndrimi politik që na çon në atë rrugë. Ky tagër duket më shumë se i është dhënë nga Rama dhe Balla. Ne e dimë shumë mirë që procesi i zgjedhjes së Presidentit ka kaluar disa faza anormalitetit”, tha Boçi.

Lidhur me vendimin e Gjykatës, ai tha se ankimimi nuk vlen sepse Alibeaj nuk është palë. “Ligjërisht nuk është palë. Para ndryshimeve të kuvendit të 11 dhjetorit patëm regjistrimin e ndryshimeve të Kuvendit të korrikut dhe grupi i rithemelimit nuk u paraqit për ankimim sepse nuk ishte palë.

Këtu nuk ka vend për apelime sepse nuk është një ndeshje klasike gjyqësore.

Pala tjetër dhe në qoftë se pretendon se përfaqëson PD-në mund të mbledhë kuvendin kombëtar, të bëjë ndryshime statutore që anulojnë vendimet e 11 dhjetorit dhe të shkojë në Gjykatë. Jo rrugën ligjore, por po ndjekin një rrugë aligjore. Nën ndikimin e kujt dihet. PD-ja nuk është një parti që duhet të kalojë në faza gjyqësore por një parti që ka vizion, ka struktura”, tha ai.

Por nëse Apeli do rrëzojë vendimin e Zhukrit, çfarë ndodh?
“Partia është përtej sallave të gjyqit. Në konsideratën time se kush është vendoset nga anëtarësia e partisë. Demokratët, opinioni publik e ka dëshmuar këtë në datën 6 mars si dhe në kuvendin e radhës të 30 prillit. Një rrugë aligjore vazhdon aligjore dhe ka një vendim aligjor. Ato e konsiderojnë veten palë dhe ndjekin një rrugë aligjore si mundet nga kjo rrugë të dalë një vendim ligjor”, u shpreh Boçi.

Sa i përket mungesës së deputetëve në Kuvendin Kombëtar të PD, ai e cilësoi një veprim në të drejtën e deputetëve. “Është në ndërgjegjen e tyre çdo vendimmarrje në raport me zhvillimet e Kuvendit, nuk dua të anatemoj askënd. Ka një mosrakordim të qëndrimeve politike. Kur unë pranoj të hyj në negociata me Ramën dhe nuk pranoj thirrjen e Kuvendit të anëtarëve të PD-së ka një mangësi. Duhet vazhduar me negociata të vazhdueshme, nuk është qëndrimi i tyre final. në rastin e ballafaqimit unë vetë do isha shumë i lumtur të isha në çdo mbledhje të demokratëve të thirrur. Është instinkt politik vajtja atje kur thërret anëtarësia.

Unë pres që procesi i bashkimit të vazhdojë. Nuk po vendos as faza, as data, as momente. Është një proces i gjatë i cili duhet të përmbyllet me një bashkim të demokratëve në të gjitha nivelet. Kjo është sfida dhe beteja e brendshme që ne kemi iniciuar si betejë pozitive. Qëllimi ynë kryesor është përballja jonë me Ramën që gjatë këtyre muajve ka ceduar për shkak të këtyre problemeve”, tha Boçi.

“Janë dhe komunikimet e vazhdueshme, përbashkimi i qëndrimeve, përcaktimi i rrugëtimit tonë politik. Ka diferenca në opinione, sigurisht që ka, ka debate. Çdo qëndrim duhet lexuar, çdo fjalë e thënë nga ta duhet lexuar. Në fund të fundit ata kanë meritën dhe në dorëheqjen e z. Basha. Dera e PD-së nuk do jetë e mbyllur për askënd”, theksoi ai.

Procesin për zgjedhjen e Presidentit të ri ai e quajti anormal, qesharak, tallës.
“Nuk është i shtratëzuar, i futur në shtratin e ligjit, ose procedurave si zgjidhet Presidenti. Ka pasur emra në zarfe”, tha ai.
Sipas Boçit, Rama i ka zaptuar të gjitha institucionet. “Unë mendova që dhe kjo kështjella e fundit do ishte pjesë e klimës së negociatës. Por Rama është në sikletin e atyre sondazheve për legalizimin e kanabisit dhe kërkojë të zaptojë dhe Presidentin që të heqë dhe pengesën e fundit morale. Maxhoranca do të krijojë imazhin sikur është konsultuar. Derisa Rama deklaron se i ka 71 votat për të zgjedhur Presidentin ka marrë fund çdo gjë.
Duhet të ketë negocim politik që opozitës për shkak të balancës së pushteteve t’i jepet e drejta e parë për propozim. Unë mendova se do ketë një negociatë. Do të zhdukë çdo pengesë. Nuk është e vërtetë që kjo negociatë është e ndershme. Z. Alibeaj pa tagrin e grupit parlamentar është përfshirë, madje duke qenë i shkarkuar.

Partia rregullohet me Kushtetutën e saj. Njohjet kanë karakter moral. Ajo pjesa e futjes së negociatave duhet patjetër që të futesh me kushte. Kush është kushti, të kërkosh balancën e pushtetit dhe do i jepte një lloj serioziteti zgjedhjes së Presidentit dhe kjo klimë do krijonte një lloj pozitiviteti në shoqërinë shqiptare”, deklaroi deputeti i PD.

Ai tha se do jetë Këshilli Kombëtar i PD që do vendosë për qëndrimin ndaj procedurës për zgjedhjen e Presidentit.
“Nuk jam i teorisë së zarfit, jam i teorisë së konsultimit dhe e drejta propozuese është pjesë e një debati të gjerë që do të zhvillohet qoftë për procedurë, qoftë për emra, që duhet të zhvillohet brenda grupit parlamentar pas vendimit që do marrë Këshilli Kombëtar për qëndrimin ndaj procedurës për zgjedhjen e Presidentit”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb