TIRANË

Ish-ministri dhe ish-deputeti i LSI-së Edmond Panariti iu ka bërë thirrje politikanëve dhe liderëve kryesorë të lënë pushimet dhe të ulen për dialog për t’i dhënë fund krizës politike në vend.

Duke folur për opsionet e daljes nga kjo krizë, Panariti tha në “Opinion” në News24 se zgjedhjet janë e vetmja rrugë. Ai u shpreh se vendi është kthyer në një autokraci, e cila po instalohet dhe në institucione.

“Ka ndodhur një diçka e rëndë, nuk pritet të ndodhë por duhet të zhbëjmë atë që ka ndodhur. Ndodhemi në një autokraci. Po instalohet dhe në institucione. Kemi të instaluar një pushtet që nuk është përfaqësues i vullnetit popullor. Sistemi duhet futur ne binaret e kushtetutës.
Ne duhet të shkojmë tek zgjedhja. Ne duhet të respektojmë dekretin e Presidentit. Janë dekrete që janë detyrim për t’u zbatuar. Palët i kanë si vektor për daljen nga situata. Kjo situatë do mbajë peng zhvillimin e vendit”, deklaroi ai.

Sa i përket marrëdhënieve mes partive opozitare dhe një marrëveshjeje të mundshme mes dy forcave kryesore, Panariti tha se LSI është pjesë e opozitës dhe opozita është solide, e bashkuar.

“Nuk mendoj që mund të bëjë veprime të dëmshme në demokraci dhe që mund të kishte diskordanca. Opozita është solide dhe homogjene në mënyrën si mendon se ky sistem duhet çrrënjosur. Data 13 tetor një opsion që ofron Presidenti për t’i futur palët në zgjedhje.
Unë besoj që dialogu duhet të jetë transparent jo me dyer të mbyllura. Duhet rivendosur besimi”, theksoi Panariti.

Sa i përket dorëzimit të bashkive nga kryetarët që përfaqësojnë opozitën ai tha se nuk do ishte normal konfrontimi.
“Do ishte butafori nëse do shkohej në konfrontim për dorëzimin e bashkive. Vendi ka nevojë urgjente, ulëritëse për zgjedhje sa më parë. Lini pushimet e uluni në tryezën e dialogut, nuk ka zgjidhje tjetër”, apeloi Panariti.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: