Skënderbeu mori një pikë me vlerë ndaj Teutës, por gjithsesi, ndodhet në vendin e parafundit dhe duhen pikë të tjera në vijim për t’ju larguar rrezikut të rënies nga Superliga. Të shtunën korçarët presin Tiranën, që tashmë nuk është një skuadër e pathyeshme.

Në vigjilje të kësaj sfide, në konferencën për shtyp foli trajneri i Skënderbeut, Migen Memelli, i cili kërkon edhe ndihmën e tifozëve për të mposhtur bardheblutë.

Tifozët – “Me Tiranën është një ndeshje e rëndësishme. Do doja të thoja si fillim të kishim qytetarët e Korçës dhe tifozët e Skënderbeut në stadium, sa më të shumtë, që ta mbështesin ekipin. Mos harrojmë se tejmbushja e stadiumit me tifozë na sjell lojtarin e 12-të dhe është një shtysë e jashtëzakonshme për lojtarët që të japin maksimumin”.

Rezultatet – “Gjithmonë e kemi kërkuar mbështetjen e tifozëve. Skuadra nuk ka qenë në pritshmeritë e të gjithëve. Gradualisht skuadra po rritet, ka bërë paraqitje të mira. Dy rezultatet e fundit, bashkë me Kupën tre, kanë qenë të mira. Shpresojmë që edhe nesër ndaj Tiranës të bëjmë një paraqitje edhe më të mirë”.

Ndeshja ndaj Tiranës – “Kemi edhe një seancë stërvitore sot, do shikojmë disa manovrime se si do sulmojmë dhe si do të mbrohemi. Pastaj do të vendosim se si do të sillemi nesër në fushë përballë Tiranës, një skuadër e vështirë, që deri në këto momente ka treguar cilësi dhe kualitet në lojë”.

Lojtarët – “Di që skuadra ime është sjellë mirë në stërvitje, ka punuar shumë. Lojtarë janë të gatshëm, veç Elvi Berishës që ka pasur një infeksion në bajame. Pjesa tjetër pastaj është në rregull.”

Sfida ndaj Teutës – “Do të tentojmë të marrim tre pikët, e bëjmë këtë në çdo ndeshje. E thashë edhe para ndeshjes me Teutën dhe u pa. Kishim guxim edhe pasi kaluam në disavantazh. Mund edhe të fitonim, por në fund duhet të pranosh rezultatin pasi janë tre rezultate në lojë”, tha Migen Memelli.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb