Kreu i LZHK, Dashamir Shehi, tha në rubrikën “Opinion”, në News24, se e vlerëson thirrjen e ambasadores amerikane, Yuri Kim, ndaj krerëve të partive politike për të mos futur në lista njerëz të inkriminuar, duke thënë se kjo deklaratë duhet të ketë vazhdimësi.

Shehi tregoi një takim të politikanëve me ish-ambasadorin Donald Lu, ku sipas tij, ky i fundit iu kishte treguar listën me emrat e atyre që nuk do të lejoheshin të futeshin, por që një pjesë e tyre ishin kandiduar nga krerët e partive dhe janë ende deputetë në Kuvend.

“Më ka ardhur edhe mua, e konsideroj shumë pozitive. Do të doja që ambasada amerikane me seriozitetin maksimal të vazhdonte në këtë rrugë, sepse kam frikë se kjo është deklaratë e përgjithshme pa vazhdimësi. Do t’i tregoja një histori reale, shpresoj të më dëgjojnë. Ish-ambasadori Lu, kur na mblodhi një ditë të bukur bashkë, tha se në zgjedhjet e 2017 nuk do të hyjnë kriminelët, tha se kishte një listë me emra që do t’i përzënë. Dikush nga ne i tha se ‘kam frikë se nga kjo listë që keni ju do të hyjnë në Parlament dhe do të mbeten jashtë disa intelektualë, që janë kundër Ramës, dhe këtu përmendi Blushin, atë zonjën e Shkodrës Hafizi’. Në fakt, ai pati të drejtë, se ashtu ndodhi, kriminelët hynë në Parlament dhe janë aty sot e kësaj dite. Shpresoj që ambasadorja Kim është më këmbëngulëse, më kundër kriminelëve të Shqipërisë. Ne kemi nevojë për influencën e shteteve të mëdha, që ne shtetet e vogla të korruptuara të heqim prej vetes një të keqe”, deklaroi Shehi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb