Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokime dhe të mos u bashkohen thirrjeve për protesta në veri të vendit, ku edhe situata ende mbetet e tensionuar pas përplasjeve e serbët.

Ky reagim i autoriteteve vjen pas thirrjeve të përhapura në rrjete sociale për t’u bashkuar në protesta masive dhe marshim drejt veriut.

Gjithashtu theksohet se këto thirrje kanë për qëllim dëmtimin e Kosovë dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Njoftimi i Policisë së Kosovës:

Policia e Kosovës u bënë thirrje qytetarëve të shpërfillin thirrjet për pjesëmarrje në protestë

Prishtinë, më 01 qershor 2023

Policia e Kosovës është në dijeni se, nëpër media të ndryshme sociale, nga persona dhe profile të ndryshme, janë duke qarkulluar postime me thirrje ndaj qytetarëve shqiptarë, për pjesëmarrje në gjoja protestë masovike, sot në ora 12:00, në Jug të Mitrovicës dhe me synim kinse për marshim në Veri të vendit. Dëshirojmë të sqarojmë se, pas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë është vërtetuar se shumë nga këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë qëllimkëqija, në dëm të vet qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës. Prandaj, Policia e Kosovës fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e asnjë gjoja organizimi nga persona të panjohur, por të lënë institucionet e sigurisë, institucionet e Republikës së Kosovës të trajtojnë situatën me profesionalizëm. Garantojmë qytetarët se institucionet e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti Policia e Kosovës, janë plotësisht të aftë dhe të përkushtuar për të garantuar siguri, rend dhe qetësi për të gjithë qytetarët pa dallim. Ne e vlerësojmë lartë bashkëpunimin dhe mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb