GJIROKASTER

Pas shoqërimit të disa shtetasve që gjatë ceremonisë mortore të të ndjerit Kostandin Kacifas, në Bularat bënë thirrje raciste dhe bllokuan rrugën nacionale, do të ndiqen në gjendje të lirë shtetasit:

– Th.P., banues në Patra;
– Th.A., banues në Athinë;
– K.G., banues në Athinë;
– A.P., banues në Igumenicë;
– Th.P., banues në Piurgu Ilias, Peloponez;
– D.K., banues në Igumenicë;
– P.P., banues në Igumenicë;
– M.D., banues në Igumenicë;
– Ch.K., banues në Athinë;
– Th.S., banues në Livadhja, Sarandë;
– A.P., banues në Prevezë.

Këta shtetas gjatë ceremonisë mortore të shtetasit Kostandinit, të riut të vrarë nga forcat RENEA pas një dyluftimi me armë në fshatin Bularat, Bashkia Dropull, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë kanë bërë thirrje për urrejtje dhe përdorim të dhunës ndaj popullsisë shqiptare, e kënduar në kor nga pjesëmarrësit në gjuhën greke, si dhe thirrje të tjera raciste duke nxitur urrejtje dhe grindje midis popullsisë.

Në cilësinë e provës materiale këtyre shtetasve u janë gjetur dhe sekuestruar: maskë ngjyrë e zezë; flakadanë; flamuj me mbishkrimin “Vorio Epiri”; A.H 1914; bluza me mbishkrimin Vorio Epiri AH1914, “Ethniko Metepo”, “Misos” dhe 2 aparate celularë. Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë për veprat penale “Nxitja e urrejtjes dhe grindjeve”, “Shpërndarja apo futja e materialeve, shkrimeve apo simboleve nga jashtë në Republikën e Shqipërisë, të cilat synojnë përmbysjen e rendit kushtetues a cënimin e tërësisë tokësore të vendit”, “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 265, 225/2, 297 dhe 25 të Kodit Penal.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: