Në futboll jo çdo gjë është e matshme me milionat e investuara, pa diskutim buxheti tregon potencialin e një klubi por në fushë zbresin 11 kundër 11 ku jo gjithnjë fiton ekipi më i pasur, për këtë arsye futbolli është një sport kaq magjik. Laçi është shembulli perfekt i një klubi i menaxhuar në mënyrë të shkëlqyer në vitet e fundit, me pak shpenzime por me lojtarë të përzgjedhur me shumë kujdes, lojtarë me shumë karakter dhe me një shpirt shumë të madh luftarak.

Sfida dyshe me Craciova ishte treguesi më i qartë i ekipit kurbinas, përballë kishin një rival me shumë traditë dhe i financuar ndër vite, diferencat në letër ishin shumë të mëdha. Me Shpëtim Duron në stol, bardhezinjtë zhvilluan dy ndeshje perfekte taktikisht, në “Elbasan Arena” në aktin e parë realizuan një gol të artë, në Rumani e mbrojtën me fanatizëm duke arritur një rezultat historik. Jo vetëm ditën të vuajnë por bënë edhe lojën e tyre, në një sfidë e cila dukej sikur nuk kishte fund, plot 100 min, Laçi kërcënojë në më shumë se një herë me aksione model, me zbritje shumë të bukura, duke shfaqur një ekip me shije evropiane.

Para Laci
Para Laci

Në fund, Laçi shijon këtë sukses të pabesueshëm, arkëton deri më tani të paktën 850 mijë euro, ndërsa ka në dispozicion dhe një sfidë luksi përballë Anderlecht në turin e tretë të Conference League ku mund të reklamojë disa nga xhevahiret e tyre, thjeshtë një rrugëtim i jashtëzakonshëm dhe një leksion i pastër për të gjithë klubet shqiptare që me një menaxhim shumë të dobët e kanë të vështirë të kalojnë me shumë se një tur në rastin më të mirë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb