Twitter ka kërcënuar se do të padisë pronarin e Facebook, Meta për platformën e tij të re Threads, sipas raportimeve të fundit.

Kompania i ka shkruar shefit të Meta , Mark Zuckerberg, për t’i thënë se “ka ndërmend të zbatojë rreptësisht të drejtat e saj të pronësisë intelektuale” , duke cituar një letër nga avokati i Twitter , Alex Spiro.

“Kërkojmë që Meta të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të ndaluar përdorimin e informacioni sekret të Twitter apo informacione të tjera tepër konfidenciale”, thuhet në letrën e Spiro.

Pronari i Twitter, Elon Musk, postoi në platformën e tij: “Konkurrenca është e mirë, mashtrimi nuk është”, në përgjigje të raportit.

Kjo vjen pasi Meta lançoi platformën e saj të re Threads mbrëmjen e kaluar, ndërsa kur nuk janë bërë ende 24 orë nga publikimi i aplikacionit numërohen mbi 30 milionë regjistrime të reja.

Threads është një platformë që i shërben një qëllimi thuajse identik me Twitter, ndërsa vetë përdoruesit janë shprehur se ka shumë ngjashmëri mes dy aplikacioneve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb