Në dosjen hetimore të siguruar për ‘BalkanWeb’ nga gazetarja Klodiana Lala, për ish kreun e Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe, rezulton se ky i fundit sipas organit të akuzës të ketë ndërhyrë duke favorizuar një ndërtim pa leje.

Në dosjen hetimore të siguruar nga ‘BalkanWeb’, rezulton se Tushe bisedon me një biznesmen i cili i ankohet se një prej inspektorëve i ka bllokuar punimet ndërtimore.

“Për gjykatën, në lidhje me këto episode u njoftua se shtetasi Fatos Tushe komunikon me një person me emrin Ismail Blliku, me nr. 069 ******8, me të cilin bisedon lidhur me një ndërtim që po kryen ai në fshatin Shegas dhe për faktin se një inspektor i quajtur F.L i ka ndërprerë punimet, ndërkohë që shtetasi Fatos Tushe në cilësinë e kryetarit të Bashkisë i thotë t’i flasë në emrin e tij.”-thuhet në dosjen hetimore.
Biseda e përgjuar mes shtetasit Ismail Blliku dhe kryebashkiakut Tushe është zhvilluar mesditën e datës 5 mars 2021 rreth orës 11:45 minuta.

Blliku: Përshendetje Kryetar, jam Ismail Blliku, nga Shegasi, kemi biseduar bashkë… kam ulur një plaë shtëpi aty dhe më ka ardhur Fatos Lulja dhe me ka pezulluar punimet…
Tushe: Mirë mirë, i thuaj kam folur me kryetarin dhe telefoni… të thash unë më duket.. ky telefon nuk është për këto lloj bisedash merre rrugën … ju ku është Shegasi dhe hajde më thuaj mua këtu… telefoni nuk është për këto lloj bisedash … hajt….
Blliku: Dakord dakord
Tushe: hajt….

Në dosje thuhet se në raportet e vëzhgimit përballë qendrës shëndetësore po ndërtohet një objekt një katësh i cili ishte në fazën e parë të punimeve ndërtimore. Ky objekt dyshohet të jetë ndërtimi për të cilin shtetasi Ismail Blliku bisedon me kreun e Bashkisë Fatos Tushe, duke kërkuar ndërhyrjen e tij për të mos pasur probleme me inspektoriatin ndërtimor të cilët kishin vajtur për kontroll në këtë objekt.

Pra, referohet dëri në këtë fazë të hetimit, se është konstatuar një ndërtim pa leje, i cili nuk raportohet si i tillë, si rezultat i ndërhyrjes së kryebashkiakut Tushe, i vënë tashmë në hetim. për sa më sipër prokuroria ka ngritur akuzën e shpërdorimit të detyrës ndaj kreut të bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama firmosi një ditë më parë shkarkimin nga posti i Kreut të Bashkisë Lushnje të Fatos Tushes, i vënë në pranga, se bashku ne 11 zyrtarë vendore, në kuadër të operacionit të urdhëruar nga SPAK. Ndaj Tushes, Prokuroria ka ngritur akuzës e shpërdorimin të detyrës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb