KOSOVË- Një grup qytetarësh të Gjakovës janë mbledhur afër Kishës Ortodokse me qëllim kundërshtimin e vizitës së paralajmëruar të pelegrinëve serbë për Krishtlindjet Ortodokse.

Vizita e pelegrinëve serbë në Gjakovë është përvitshme dhe ajo korrespondon me Krishtlindjen ortodokse.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë në Gjakovë, Lirie Podrimaj- Beqiraj.
“Po është e vërtetë është thyer një xham i autobusit, dhe lidhur me këtë janë shoqëruar në stacioni policor pesë femra”, ka thënë Podrimaj- Beqiraj.

Ajo ka shtuar se ende janë duke pritur vendimin e Prokurorit se çfarë masa do të ndërmerren ndaj pesë femrave të shoqëruara në polici.

Dy vite më parë, gjendja ishte tensionuar kur pelegrinët serbë ishin penguar të vizitojnë kishën për Krishtlindjet Ortodokse, gjë për të cilën më pas ish-ministri në Qeverinë e Kosovës nga Lista Serbe, Aleksandar Jabllanoviç i kishte fyer nënat gjakovare duke i quajtur egërsira.

Cilësimi i tij, më pas pati nxitur protesta, të cilat u përmbyllën me shkarkimin e Jabllanoviç nga pozita ministrore në qeveri.

Gjakova, është një nga rajonet që ka pësuar shumë gjatë luftës së fundit, ku ish–regjimi i Sllobodan Millosheviçit ka lënë pas viktima dhe shkatërrime të shumta.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb