TIRANE– Njihet edhe si “Zonja e hekurt” e politikës shqiptare, por mbi të gjitha është grua dhe nënë. Më shumë se kudo tjetër në publik, kjo u duk edhe në intervistën e së premtes në “Studio e Hapur” me Eni Vasilin në “News 24”, kur Jozefina Topalli u përlot teksa fliste për momentet që ka humbur në familje, për shkak të angazhimit politik.

Ajo thotë se mungesa e saj në momente të caktuara familjare, ka qenë kostoja e angazhimit të saj në politikë.

“Besoj se kostoja më e madhe për një grua është mos përjetimi i atyre momenteve të vogla, që të sjellin gëzim në jetë. Unë e kam në shpirt, s’i kam ndjekur shumë fëmijët e mi, nuk kam kanë qenë shpesh me ta. I kam ndenjur shumë herë larg. Djali im rrinte zgjuar deri natën vonë sa të vija unë dhe më hapte derën. Këto janë gjëra që nuk kthehen. Pjesa tjetër pastaj ka privilegjet e veta. Unë kam pasur fatin të takoj shumë personalitete. S’e harroj kurrë drekën që kemi pasur me Xhorxh Bushin që do njihte pavarësinë e Kosovës dhe futjen tonë në NATO. Kam qenë ulur afër tij dhe pranë kryeministrit Berisha. Për shkak se isha më afër, ne biseduam shumë gjatë. Ai ishte i thjeshtë dhe të krijohej iluzioni se ishim shokë gjimnazi. Nisi të fliste për nënën e tij Barbara”, shprehet Topalli.


Në këtë moment gazetarja Eni Vasili nuk ka ngurruar të vazhdojë më tej, duke i thënë “Kur folët për djalin tuaj se ju priste zgjuar kur ishte 3 vjeç që t’u hapte derën ju u prekët…”

E teksa i përgjigjet, se “Sigurisht. Në fund të fundit ke vetëm familjen”, zonja Topalli nuk mund të mbajë lotët.
topa

Sakaq, ajo është shprehur se etiketimi si “Zonja e Hekurt” i pëlqen, por shton se në të vërtetë ajo ka edhe pjesën e saj të brishtë të karakterit.

“Ndonjëherë po. Pastaj i bëj pyetje vetes; vërtet jam unë e tillë? Në fakt nuk jam. Ndoshta karakteri është i fortë dhe imponohet nga bindjet e mia, por për pjesën tjetër them se jam e brishtë. Në kohën e diktaturës kam pasur një hallë që ishte martuar me një italian, ajo mbeti në Itali. Babai im vdiq pa e parë motrën e vet. Ajo na solli një televizor, dhe ndryshe nga ai i komshinjve. Shtëpia ka qenë e madhe, ku pastaj futëm brenda 5 familje të tjera për të jetuar aty. Ata vinin tek dhoma jonë që të shihnim televizor dhe unë rrija në fund të dhomës, që mos të shihnin që unë po qaja nga skenat e prekshme. Në shtëpi na lexonin çdo pasdite ‘De Amiçi’, një histori të Apenineve. Ne ishim tre fëmijë. Unë nisa duke qarë dhe më pas u vendos që unë nuk do isha më brenda në shtëpi kur do tregohej historia”, shprehet Jozefina Topalli.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: