Kryeministri Edi Rama i la një porosi ministrave të kabinetit të ri qeveritar, që prioritet i të gjitha institucioneve të jenë qytetarët.

Kreu i qeverisë theksoi se ministrat nuk duhet të marrin në kurriz mallkimet që ia faturojnë ‘minjtë’ e Hipotekave, të licencave, apo të Legalizimeve, ndërsa iu sugjeroi që t’i japin ‘shkopin kokës’.

“Kodi Etik në fuqi e cek shumë kalimthi në fakt këtë marrëdhënie dhe ka nevojë për amendime plotësuese sepse ndalet vetëm në aspektin e detyrimit të anëtarit të qeverisë për të lajmëruar deputetët përkatës kur shkon për vizitë punë në territor, çka edhe kjo nuk ka ndodhur si një normë rutinë e punës.

Etika e ministrit në këto marrëdhënie lidhet pazgjidhshmërisht me domosdoshmërinë dhe mishërimin në to të faktit të thjeshtë që qeveria buron nga parlamenti e nuk buron parlamenti nga qeveria. Prandaj, ju lutem shumë të gjithëve që prania juaj në komisionet parlamentare per projektligjet e qeverisë nuk duhet të vihet në diskutim, përveçse në rastet ekstreme pamundësie të lajmëruara përpara apo edhe në moment të fundit dhe të dakordësuara me kryetarin e grupit parlamentar.

Ashtu sikundër, përveçse në raste pamundësie apo mos ndodhjeje në Tiranë, vetëm për arsye pune, nuk duhet të vihet në diskutim prania juaj e të gjithëve ju në hapjen e seancave parlamentare dhe jo vetëm prania, por prania në kohën fikse të fillimit të seancës. Gjithashtu dhe scheduli i largimit nga seanca duhet të dakordësohet me Ministren e Marrëdhënieve me Parlamentin në mënyrë që tryeza e  qeverisë në Kuvend të mos mbetet asnjëherë pa praninë e të paktën 1/3 së ministrave ndërsa largimet për arsye të paparashikuara do bëhet vetëm me leje të kryetarit të grupit parlamentar.

Ky në fakt është minimumi etik në marrëdhëniet qeveri –parlament, sepse kjo qeveri duhet të krijojë një raport të tërë komunikimi proaktiv me komisionet parlamentare, jo vetëm duke ndërvepruar sistematikisht me deputetët e grupit tonë në komisionin përkatës, por duke vënë në dijeni drejtuesit e opozitës në komisione, për çështje me rëndësi apo informacione të dobishme për punën.

Një tjetër shkelje etike e vënë re gjatë mandatit të shkuar ka qenë dalja e pa konceptueshme në disa raste e ministrave nga fryma e kolegjialitetit të vendimmarrjes në qeveri, me letra individuale dërguar komisionit të kuvendit, apo qëndrime individuale në komision për mosdakordësi me gjëra të vendosura bashkërisht këtu, për t’u shqyrtuar për miratim përfundimtar atje.

Ju siguroj se në çdo Kod etik të qeverive demokratike që kemi hulumtuar, kjo konsiderohet një thyerje e rëndë e vijës së sjelljes në qeveri. Në procesin e diskutimeve në Kuvend gjithçka mund të ndryshojë natyrisht, por është absurde që ministri, jo të mos mbrojë me argumente një vendimmarrje të qeverisë, por të arrijë deri ta kundërshtojë sepse medemek cënon sektorin e vet në favor të një sektori tjetër.

Sektorët nuk janë feude ministrore dhe ka vetëm një sektor për të cilin punon e gjithë qeveria. Ky sektor është Shqipëria dhe Shqipëria e ka vetëm një buxhet dhe ky është buxheti i Republikës së Shqipërisë. Siç e thashë, në fjalën e paraqitjes së programit të qeverisë sonë, ne nuk do t’i kundërpërgjigjemi me formatin e vjetër tradicional të fletërrufeve të konferencave të shtypit të opozitës.

Është një format që e ka mbushur me kohë dhe e ka derdhur në fakt, ka kohë, kupën e durimit të popullit, me akuza dhe kundërakuza, shpoti dhe kundërshpoti, me politikë dhe kundër politikë, e cila e ka neveritur vetë politikën, ndërkohë që politika nuk ka lindur si një mollë ekskluzive sherri mes politikanëve, por si e vetmja mundësi që qeniet njerëzore të bëjnë sëbashku për të mirën e shoqërisë, gjëra të cilat të vetmuar nuk kanë se si i bëjnë dot.

Ne kemi vetëm 4 vjet në dispozicion për të bërë gjërat për të cilat shqiptarët u bënë shumicë për të na mbështetur ne për të tretën herë rradhazi, siç nuk janë bërë kurrë më parë.

Prandaj nuk mund e nuk duhet të çojmë dëm, jo asnjë ditë, por asnjë orë duke u marrë me e lagu apo nuk e lagu me opozitën.

Qeveria e re do të ketë në funksion të plotë në pak ditët në vijim, një faqe të saj të re online, ku do të kemi dhe një rubrikë të dedikuar për informimin e publikut mbi çdo akuzë, denoncim apo pretendim me interes publik. Në atë rubrikë, secili dhe secila prej jush do përgjigjet me shkrim dhe me përgjegjësi individuale dhe institucionale për vërtetësinë e informacionit që do të japë. Kush, besoj kjo nuk do të ndodhë por sidoqoftë, nuk do të thotë të vërtetën, do të marrë pastaj mbi vete dhe përgjegjësitë morale, politike, institucionale dhe po të jetë rasti edhe ligjore nëse koha do të provojë të kundërtën lidhur me akuzën, denoncimin, pretendimin.

Në mbledhjen e parë të një kabineti të ri, unë jap një porosi që nuk ndryshon. Ministër nuk bëhesh vet, të bën kryeministri, por vendin nuk ta mbaj unë, duhet ta mbash vetë. Kjo vlen për punën, por dhe për moralin institucional dhe natyrisht kjo vlen dhe për dyshemenë ku shkel. Dyshemeja e qeverisë është ligji, jashtë perimetrit të saj ka vetëm pasarela dërrasash të kalbura e kush shkel në dërrasë të kalbur, punën e ka me organet ligj zbatuese, jo me mua, as me qeverinë, as me partinë. Kjo është porosia ime dhe unë dua të jeni të sigurt, do t’ju mbështes pa asnjë kursim në përpjekjen e secilit prej jush për të arritur objektivat e përbashkëta. Do t’ju mbroj publikisht pa asnjë rezervë përballë çdo agresioni dhe kundërshtari të progresit që duam të sjellim bashkërisht. Do t’ju ruaj dhe shpinën nga çdo erë kundra jush që mund të fryjë për shkak të detyrës brenda shtëpisë sonë të përbashkët por edhe një herë, as mua, as Partinë Socialiste nuk do ta ketë mbrapa kush do të hedhë qoftë dhe një hap jashtë dyshemesë së ligjit.

Familja ime nuk ka asnjë lidhje me punët e shtetit, ju kërkoj edhe juve t’i mbani larg familjet tuaja nga dyert e punëve të shtetit, nga fondet publike dhe nga kërkesat e të tretëve, qofshin kushërinj, krushq apo miq, për favore sado të vogla. Nga llafet e nga akuzat nuk do të shpëtoni kurrë edhe sikur të mbylleni në kullë si Oso Kuka e të flini vetëm gjumë, por e drejta dhe e vërteta, mundi dhe puna janë ato që vlejnë dhe janë ato që mbeten. Të tjerat i merr që të gjitha era e harresës. Prandaj përqendrohuni në punë, punoni pa u lodhur dhe pa i bërë hile as punës e askujt. Mos u shpërqendroni nga agresionet e padenja, nga sulmet e padrejta, nga thashethemet e pabaza. Mësohuni me idenë se sa më shumë të përpiqeni aq më shumë do të goditeni e do të përfliteni, këtë nuk e ndryshoni dot nëse besoni tek ajo që bëni dhe jeni gati të bëni atë që besoni.

E fundit, por në fakt më e rëndësishmja e këtyre pikave të rëndësishme është etika në marrëdhëniet me qytetarët, me njerëzit e këtij vendi, me ata që na kanë bërë nderin më të madh në jetë, duke na dhënë privilegjin e jashtëzakonshëm të udhëheqim atdheun tonë. Natyrisht, nuk kam çfarë flas për etikën e secilit apo të secilës prej jush si njerëz në raport me njerëzit. Do dukej një predikim i tepërt sepse as që dua ta mendoj e jo më pastaj ta diskutoj që edhe mund të mos e keni parasysh se çfarë korrektese duhet t’ju karakterizojë. Fjalën e kam për etikën institucionale të ministrive dhe institucioneve të varësisë në marrëdhëniet me qytetarët. Sinqerisht nuk më intereson asnjë reformë, asnjë program, asnjë projekt, asnjë investim, asnjë shpenzim, asnjë rrugë, asnjë kanalizim dhe nuk do pranoj dot asnjë justifikim përpara imperativit të cilësisë së marrëdhënies së kësaj qeverie me çdo qytetar të kësaj republike, me çdo njeri të zakonshëm, i bardhë, i zi, i majtë, i djathtë, i ri, i moshuar, në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë që troket në derën tonë për të qarë një hall, për të zgjidhur një problem, për t’u ankuar për një çështje që me ligj e me zakon i takon qeverisë, na takon të gjithëve ne këtu dhe zinxhirit ekzekutiv të qeverisë në territor që ta trajtojë.

Kjo derë është platforma e bashkëqeverisjes, shqipëriaqeduam.al, e cila do të jetë, dhe vendimi i parë i kësaj qeverie sot, për ta çuar në Kuvend, duke kthyer në ligj për të gjithë me përmbajtjen e projektligjit të cilin e kemi gati e ku kemi adresuar të gjithë bagazhin e eksperiencës dhe të mësimeve të marra nga funksionimi i platformës gjatë mandatit të dytë, mbase do zgjatemi në pjesën tjetër, por një gjë është me rëndësi të thuhet shumë qartë në këtë fjalë të hyrjes zyrtarisht në mandatin e tretë dhe në sy të opinionit publik.

Marrëdhëniet e institucioneve me publikun në këtë shtet nuk mund të jenë opsionale, as çështje fakultative vullnetesh të ndryshme personale. Do një ministër kujdeset për to, nuk do një tjetër, ato ngecin. Do një shef zyre marrëdhëniesh me publikun, zyra i përgjigjet qytetarëve, nuk do një shef tjetër zyre, njerëzit nuk marrin përgjigje. Do një drejtor në institucion, qytetarët trajtohen mirë, nuk do një drejtor, qytetarët keqtrajtohen. Kjo duhet të jetë një marrëdhënie detyruese, e përpiktë, moralisht dhe ligjërisht. Siç lini çdo gjë për të shkuar në parlament kur ju kërkon interpelancë një grup deputetësh, duhet të lini çdo gjë tjetër kur një qytetar mbetet pa përgjigje, mbetet pa zgjidhje, mbetet pa adresë, për shkak të zinxhirit të varësisë suaj, i cili nuk e përfill dhe duhet të tundni dynjanë njësoj sikur qytetari të ishte babai juaj, nëna juaj, vëllai juaj, motra apo djali juaj. Madje për këta të fundit s’keni pse tundni askënd kurse për ata të tjerët duhet të tundni gjithçka.

Ne këtu në këtë tryezë nuk e rregullojmë dot, kush e ka eksperiencën tanimë në drejtim, e di shumë mirë, nuk ka shkop magjik për funksionimin sa hap e mbyll sytë të të gjithë institucioneve që duhet të japin dokumente dhe të zgjidhin halle të shkaktuara për fajin e shtetit, sepse kjo do të kërkojë kohën e vetë, sepse nga gropa e zezë e sporteleve me shufra hekuri dhe institucione me tym qoftesh ku u nisëm për të vazhduar këtë përpjekje, nuk kemi bërë pak, por nuk mund të bënim dot as ne, e askush tjetër gjithçka sepse bota administratat i ka ndërtuar me shekuj e nuk i ka shembur e shkatërruar si kalanë e Rozafës sipas dufeve dhe tekave të partisë, çohu Lena, ulu Prena, një herë në vit e një herë në dy vjet. Ama, ne këtu dhe ju këtu, mund t’i rrini që çke me atë punë me shkop, jo magjik, mbi kokë, drejtorëve, shefave, përgjegjësve e kujtdo poshtë jush nëpër zyrat e shërbimit të shtetit që lë qytetarët varur në telin e indiferencës burokratike.

Do t’ju lutesha ta lexoni vetë deri në fund, gërmë për gërmë ligjin e ri të bashkëqeverisjes, ta konsideroni biblën dhe kuranin e shërbimeve ndaj publikut, për të gjithë ata që keni në varësinë tuaj, duke ju kërkuar, jo vetëm zyrtarisht, por dhe njerëzisht që të mos më lini vetëm në këtë përpjekje që e keni për detyrë si ministra, kjo nuk diskutohet, por që duhet ta kuptoni, ta ndjeni dhe ta zhvilloni si një mision human në radhë të parë. Nuk ka mëkat më të madh që të kesh pushtet të zgjidhësh hallin e dikujt me shtetin dhe të mos e bësh, siç nuk ka bekim më të madh kur je në pushtet se sa buzëqeshja e një njeriu të çliruar nga një hall që ti ia zgjidhe falë angazhimit me pushtetin tënd. Bëjeni, mblidhni sa më shumë bekime dhe mos merrni në kurriz mallkimet që na i faturojnë minjtë e hipotekave, të legalizimeve, të lejeve, të licencave të autorizimeve, të kartave të lloj-llojshme dhe pasi zgjidhet një hall i sajuar prej tyre, shkopin kokës çdo miu që e ka sajuar. Deri në mbylljen e ciklit të shërbimeve përmes dixhitalizimit e deri kur ta kemi futur plotësisht të gjithë sistemin e shërbimit të dokumenteve në telefonin dhe në kompjuterin e qytetarëve, shkopi është domosdoshmëri. Ky ligj i bashkëqeverisjes parashikon administrative dhe sanksione financiare për zyrtarët që nuk u kthejnë përgjigje në kohë qytetarëve por ligji do zbatuar e që të mos mbetet në letër e unë i pari pastaj ju të gjithë bashkë me mua, të mos bëhemi qepaze për moszbatimet kronike të ligjit. Duhet të jeni ju të gjithë shëmbëlltyra e vullnetit ligj zbatues të bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.

Struktura e re e informimit publik të qeverisë, të cilën do e miratojmë po sot, duhet të angazhohet menjëherë që të jetë gati dhe fushata e informimit të qytetarëve sapo bashkëqeverisja të kthehet dhe ligj në kuvendin e Shqipërisë. Mos e harroni asnjë ditë. Ne qeverisim si një forcë e vetme politike, por këtu na kanë sjellë ata me të cilët duhet të bashkë qeverisim sepse ata na bëjnë ne të pathyeshëm në zgjedhje dhe vetëm në aleancë me ta ne mund ti bëjmë çeço zyrtarët e shërbimeve ndaj tyre.

Në mbyllje, dua të ndaj me ju dhe një projekt të ri kombëtar për forcimin e frymës dhe fuqizimin e përmbajtjes së bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Bashkëqeverisja nuk është vetëm ju ankohuni dhe ne ju zgjidhim hallet me burokracinë, por është dhe bashkë ndarje e opinioneve për vendime me rëndësi të veçantë dhe unë dua që kjo qeveri ta ftojë popullin, pa dallime politike, në konsultime kombëtare për të marrë vendime, të cilat kërkojnë, jo vetëm guxim, por edhe përfshirje të qytetarëve, mbështetje morale prej tyre, kultivimin e një sensi komuniteti për Shqipërinë, përtej të majtës dhe përtej të djathtës, përtej partive, përtej llogoreve, përtej ndasive e përtej llafeve. Këtë ide mbase ju kujtohet, e hodhëm thjesht si ide në kongresin e fundit të Partisë Socialiste, por duke reflektuar gjatë zhvillimit të idesë kam krijuar bindjen se kjo nuk është një çështje socialistësh apo demokratësh, të majtësh apo të djathtësh, votuesish apo abstenuesish, të moshuarish apo të rinjsh, aktivistësh apo indiferentësh. Kjo është një çështje etike e mosdhënieve të një qeverie për të gjithë njerëzit, me njerëzit dhe për njerëzit, e një qeverie që do të ketë ambicien të definohet si mishërimi i krenarisë për atdheun dhe si shëmbëlltyra e punës që çdo shqiptar të jetë krenar për Shqipërinë.

Natyrisht do të ulemi në ditët në vijim për të nisur punën për këshillimin e parë kombëtar dhe do startojmë që këtë vit me provën e parë të kësaj forme të re bashkëqeverisjeje, duke vendosur para popullit alternativa të ndryshme për vendime të caktuara, duke kërkuar një nga një nominalisht dakordësinë dhe zotimin tuaj për jetësimin e kësaj përmbajtjeje jetike të rolit të anëtarit të qeverisë së republikës së Shqipërisë, unë ju falënderoj me të vërtetë dhe sinqerisht që jeni këtu, për të ndarë bashkë me mua telashe dhe sprova që lidhen me të ardhmen e atdheut tonë të përbashkët, por edhe me dinjitetin që ne kemi detyrimin t’i japim besimit të qytetarëve që na kanë vënë në këtë privilegj të jashtëzakonshëm për të qenë këtu, në këtë tryezë, të vendimmarrjes më të lartë të vendit tonë.”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: