Shkrimtari Ben Blushi, gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa në News24, analizoi marrëdhënien e shqiptarëve me fenomenin e racizmit, duke e lidhur atë me izolimin historik dhe mungesën e ndërveprimit me popuj të tjerë.

“Shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të dinë nëse janë racistë apo jo, sepse kemi jetuar të izoluar, të rrethuar nga male. Jemi një popull që ka jetuar në një lloj ishulli,” tha Blushi, duke nënvizuar se ndryshimi demografik në vendet e tjera evropiane ka nxjerrë më herët në pah çështjet e racizmit.

Duke iu referuar romanit të tij “Otello, Arapi i Vlorës”, botuar në 2009, Blushi tregoi se si historia e një djali me ngjyrë që zbret në Vlorë në vitet 1400 shërben si një metaforë për mënyrën se si shqiptarët mund të përballen me të huajt. “Banorët e Vlorës, që nuk kishin parë kurrë një person me ngjyrë, e trajtojnë atë si një qenie të huaj, duke i bërë eksperimente çnjerëzore,” tha ai.

Blushi paralajmëroi se pas disa dekadash, Shqipëria do të përballet me rritjen e emigracionit dhe sfidat që sjell shumëllojshmëria kulturore. “Pas 20-30 viteve, do të kemi emigrantë nga popuj të tjerë dhe do të merremi shumë me këtë çështje,” vijoi shkrimtari.

“Otello, Arapi i Vlorës”, i botuar në 2009, tregon raportin e shqiptarëve me racizmin. Ne nuk e dinim ishim apo jo racistë sepse s’kemi jetuar me popujt të tjerë. Ne për shkak të gjeografisë, jemi popull i rrethuar nga male, kemi jetuar në një lloj ishulli. Vendet e tjera, gjermanët, francezët e dinë këtë prej shumë shekujsh. 6% e francezëve janë të ardhur, 25% e banorëve të Suedisë janë të ardhur, 6-7% e Gjermanisë janë banorë të ardhur… T’i çohesh në mëngjes dhe komshiu jot është një familje siriane apo afgane me 8 fëmijë që bëjnë zhurmë, të cilët kanë erërat e tyre të kuzhinës, lënë plehrat te ashensori, ti mendon keq për ata, kjo është racizëm. Kam marrë një personazh të Shekspirit dhe e kam sjellë si një djalë që zbret në Vlorë, në vitet 1400, 6 shekuj më parë, një djalë me ngjyrë pra që del nga deti. Banorët e Vlorës nuk kishin parë ndonjëherë qenie të zezë, e trajtojnë si kafshë, i bëjnë eksperimente të llahtarshme… Pas 20-30 viteve në Shqipëri do të vijnë popuj të tjerë emigrantë dhe ne do të merremi shumë me këtë punë”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: