Në seancën e sotme plenare në Kuvend, Taulant Balla tha se projektrezoluta e Srebrenicës duhet të trajtohet me rëndësi.

Balla theksoi se masakra në Srebrenicë është njohur dhe pranuar si gjenocid. Më tej shtoi se sot se miratimi i rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë i bën nder Kuvendit.

Kuvendi konfirmon qëndrimin  Shqipërisë de mohimi i gjenocidit përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe nxit fenomenin e pandëshkueshmërinë e krimeve të luftës dhe shkel dinjitetin e të masakruarve në Srebrenicë. Shpreh dhimbjen e thellë për viktimat dhe traumat e shkaktuar gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë. Besoj të gjithë kolegët e kanë rezolutën dhe ky është një rast ku folklorizmat bajate duhet t’i lëmë menjëna”, tha ai.

Fjala e plote:

Mbi Projektrezolutën

“Për përkujtimin dhe nderimin e viktimave të genocidit në Srebenice” “Mijëra burra të ekzekutuar dhe të varrosur në varreza masive, qindra burra të varrosur për së gjalli, e po aq qindra të gjymtuar e therur, fëmijë të vrarë para syve të nënave të tyre, një gjysh i detyruar të hante mëlçinë e nipit të tij.

Këto janë vërtet skena nga ferri, të shkruara në faqet më të errëta të historisë njerëzore.”

do të deklaronte Gjykatësi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Fouad Riad, ndërsa ngrinte aktakuzën penale të Srebrenicës kundër Ratko Mladic dhe liderit serb të Bosnjës gjatë luftës Radovan Karadzic, më 16 nëntor 1995.

Zonja dhe zotërinj,

Më 11 korrik 1995, qyteti boshnjak i Srebrenicës, i cili kohë më parë ishte shpallur një zonë e sigurt me Rezolutën 819 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u kap nga forcat serbe të Bosnjës.

Prej atij moment për disa ditë me radhë, më shumë se 8000 burra dhe djem myslimanë, të cilët kishin kërkuar siguri në këtë zonë nën mbrojtjen e Forcave Mbrojtëse të Kombeve të Bashkuara (UNPROFOR), u ekzekutuan barbarisht nga forcat serbe të Bosnjës të komanduara nga gjenerali Mlladiç dhe nga njësitë paraushtarake që vepronin nën autoritetin e Presidentit të atëhershëm të Republikës Srpska, Radovan Karaxhiç.

Rreth 30,000 gra, fëmijë dhe të moshuar u dhunuan dhe u dëbuan me forcë në një fushatë masive të spastrimit etnik.

Në vitin 1999 Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, në raportin e tij për rënien e Srebrenicës do të deklaronte se OKB-ja dështoi në zbatimin e mandatit të saj, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e të ashtuquajturave ‘zona të sigurta’, dhe kështu ndan përgjegjësinë.

Histori tragjike por dhe e turpshme e kohëve moderne mu në zemër të Europës së vlerave të larta njerzore e parimeve demokratike, e cila duhet të shërbente si një kambanë alarmi ndaj rreziqeve të formave ekstreme të nacionalizmit dhe intolerancës, dhunës dhe tmerreve të luftës që shkaktojnë ato.

Por, fatkeqësisht, gjenocidi i Srebrenicës rezultoi të ishte vetëm uvertura e një genocidi edhe më të gjerë, i cili u shtri pak më pas edhe në Kosovë.

Fatkeqësisht gjenocidi u ringjall së fundmi edhe në Ukrahinë, ku forcat pushtuese ruse kanë kryer dhe po kryejnë krime tepër të rënda kundër civilëve të pambrojtur ukrahinas.

Sot jemi mbledhur këtu të perkujtojme dhe nderojme viktimat gjenocidit në Srebenicë,

duke shprehur më së pari dhimbjen e thellë për viktimat dhe traumat njerëzore të shkaktuara nga gjenocidi serb si dhe përkrahjen e plotë dhe solidaritetin e sinqertë, siç e ka dhe zakoni i shqiptarit, për tërë të lënduarit, të mbijetuarit gjatë luftës së përgjakshme në Bosnjë – Hercegovinë.

Kjo rezolutë është një dokument tepër serioz, larg folklorizmave dhe përpjekjeve bajate protagonizmash personale.

Kjo rezolutë është gjuhe e zemrës së Shqipërisë dhe e shqiptarëve.

Rezoluta e sotme e Kuvendit të Shqipërisë vjen në mbështetje të objektivave të Presidencës Shqiptare të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për muajin qershor 2022, që fokusohen, ndër të tjera, në respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe forcimin e llogaridhënies për shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare.

Ky qëndrim i Shqipërisë për përfaqësesve direktë të popullit është në përputhje të plotë me rezolutat e Parlamentit Evropian dhe e njëzëshëme/ në të njëjtën linjë me qëndrimet e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell, si dhe të Komisionerit Olivér Várhelyi mbi genocidin në Srebrenicë.

Europa dhe Kombet e Bashkuara dështuan turpësisht të parandalojnë atë masakër, ndërsa gjenocidi në Srebrenicë do të mbetet si një plagë e hapur mu në zemër të Europës, për të na kujtuar dështimin, dështimet që pasuan, por edhe përgjegjësinë për të bërë gjithcka që krime të tilla të mos ndodhin më kurrë.

Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do të ishtë ndër zërat e vetëm që i kërkuan NATO të parandalonte në kohë gjenocidin në Srebrenicë. Plot dy vite e tre muaj para 11 korrikut 1995, në një Raport 100 faqësh, Presidenti Biden asokohe Senatori Biden do të paralajmëronte rrezikun e një masakre në Srebrenicë.

Ndërsa 25 vite më pas do të deklaronte se “Gjenocidi i Srebrenicës është dokumentuar dhe provuar gjerësisht. Të mohosh këto krime dhe këtë gjenocid është një ofendim moral që fyen vlerat tona më të larta dhe zvogëlon rëndësinë e asaj që ndodhi. Vetëm duke u përballur plotësisht me të kaluarën, qytetarët e Bosnje-Hercegovinës mund të arrijnë pajtime të vërteta dhe të qëndrueshme.”

Zonja dhe zotërinj,

Rezoluta konfirmon bindjen tonë të përbashkët se ka ardhur koha të dëshmohet me vepra vullneti dhe angazhimi për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimeve të luftës dhe vënë pas hekurave kriminelët, pasi për këtë u detyrohemi jo vetëm më shumë se 8 mijë civilëve të pafajshëm që u masakruan në Sreberenicë, por dhe mbi 10 mijë shqiptarëve të vrarë edhe 20 mijë grave shqiptare të dhunuara gjatë spastrimit etnik në Kosovë.

Duke filluar nga masakra e Prekazit në Skenderaj më 5 – 7 mars 1998, e me radhë në dhjetra masakra të tjera, që tronditën botën në Recak, Krushë, Rahovec, Mejë deri në Çlirimin e Kosovës më 12 qershor 1999.

Sot dënojmë me forcë çdo tendencë për të mohuar  gjenocidin në Srebenicë, çka është jo vetëm një fyerje e kujtimit të mijëra viktimave dhe të të lënduarve  e kësaj tragjedie por edhe një përpjekje për fshehjen e motiveve të tij dhe justifikimin e kriminelëve të luftës.

Rezoluta dënon fuqishëm si të papranueshme e tejet të rrezikshme vazhdimin dhe përshkallëzimin e retorikës politike nacionaliste, nxitjen e urrejtjes etnike dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës nga disa individe, grupime e aktorë politike e mediatike brenda e jashtë Ballkanit Perëndimor.

Në përputhje të plotë me rezolutat e Parlamentit Evropian, të datës 7 korrik 2005, 15 janar 2009 dhe të atë datës 15 korrik 2015 për Përkujtimin e Genocidit në Srebrenicë, Rezoluta i kërkon Qeverise të nderojë viktimat e genocidit në Srebrenicë dhe të shpallë datën 11 korrik si Ditën e Përkujtimit të genocidit në Srebrenicë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb