Kryedemokrati Basha në daljen e tij për media tha ndër të tjera se frika më e madhe e kryeministrit Rama janë koalicionet parazgjedhore.

Ai madje tha se kreu i qeverisë i ka futur ndërmjetës dhe kërkonte që Basha të bëhej kryeministër e Rama president me kushtin e vetëm që të hiqeshin koalicionet parazgjedhore.

“Dua të përsëris diçka që e kam thënë në një emision. Për një muaj e gjysëm, Edi Rama ka dërguar ndërmjetësit e tij, pothuaj çdo ditë me të njëjtin mesazh “Ti kryeministër, unë president, vetëm të heqim koalicionet.”. Edi Ramës nuk i bëhet vonë për njerëzit. Për këtë, besoj, nuk ka nevojë të zgjatem, se është në fund, në ikje dhe bëmat e gjëmat e tij, i njeh çdokush. Edi Rama merakoset vetëm për pushtetin e tij. “Heqim koalicionet dhe ti kryeministër, unë president”. Kështu e shikon Edi Rama politikën, si një pazar të ndyrë, si një lojë me porta të vogla për të vjedhur e zhvatur Shqipërinë, siç ka bërë këto 7 vite e gjysëm. Kryeministri në ikje nuk e prek dot Kushtetutën me 122 deputetë, nga të cilët gjysma nuk përfaqësojnë askënd, përveçse paratë e Taulant Ballës dhe favoret me të cilat janë blerë dhe shitur. Çdo hap në këtë drejtim është fund i Marrëveshjes së 5 Qershorit, është dhunim flagrant i konsensusit të arritur për Shqipërinë dhe shqiptarët.”, tha ai.

Basha shtoi se ai dhe PD nuk kanë qenë ndonjëherë kundër ndryshimit të sistemit zgjedhor. “Nuk e prek dot kushtetutën kryeministri në ikje. Cdo hap në këtë drejtim është fund i marrëveshjes, dhunim flagrant i konsensusit të arritur. PD kurrë nuk e ka përjashtuar diskutimin për sistemin. Ne jemi për mazhoritar të pastër me dy dhoma që asnjë kryeministër nesër të mos i ngjajë as hijes së Ramës që kontrollon të gjitha pushtetet. Ndaj jemi të vendosur që një diskutim ta bëjmë por jo me Balla-opozitën por me gjithë shqiptarët”,- tha Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb