Nënkryetari i Partisë Demokratike Luçiano Boçi ishte i ftuar këtë të diel në programin “Dola te Ola” në televizionin News24.

Si rrallëherë politikani foli për marrëdhënien që ka me bashkëshorten e tij, Blerina Boçin. Ai zbuloi se ata janë njohur në auditor, ku ajo ka qenë studentja e tij dhe në njëfarë mënyre kanë thyer ‘rregullin’ e pashkruar për marrëdhënien pedagog-student.

Boçi kujtoi se Blerina ka qenë një performante shumë e mirë në lëndën e tij dhe shumë kërkuese në atë që donte të arrinte. I pyetur për cilësitë që e bënë atë të dashurohej me Blerinën, Boçi veçoi muzikalitetin e zërit dhe pozitivitetin që ajo transmeton.

Një moment shumë i bukur dhe emocionues në studio ishte kur u shfaq një videomesazh nga bashkëshortja e tij, e cila kishte zgjedhur disa fjalë shumë të bukura zemre për bashkëshortin e saj.

“Ti për mua je drita e mëngjesit që vjen herë e zbehtë, e herë plot ngjyra, dhe herë si një vetëtimë. Je një energji jetësore për mua, për fëmijët tanë, por dhe për të gjithë ata që të duan, të njohin dhe të vlerësojnë. Pas kaq vitesh mund të them që nuk ka qenë gjithçka e lehtë, por mes dallgësh dhe sfidash ti ke mbetur mendimi im më i bukur dhe ndjesia më e ëmbël”, tha ajo.

Luçiano dhe Blerina janë bekuar me dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë, dhe kanë krijuar një familje shumë të bukur bashkë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb