Ka nisur mbrëmë Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë, TIFF. Ky edicion u hap me filmin “Home Sweet Home” të Faton Bajraktarit, film i përzgjedhur për konkurim në kategorinë BEST FOREIGN LANGUAGE FILM në Oscars 2017. Filmi debutues i Faton Bajraktarit – ‘Home Sweet Home’ me skenar nga Zymber Kelmendi ka në kast aktorët e njohur Donat Qosja, Arta Muçaj e Shkumbin Istrefi.

Ai e pati premierën ndërkombëtare këtë vit në festivalin prestigjioz Karlovy Vary. Ky film tregon historinë e Agronit, i cili për disa vite ka qenë i zhdukur dhe pasi kthehet në shtëpi, ai përballet me rrethin, të cilët, emrin e tij e kanë përdorur për përfitime personale.

Ndërkaq, TIFF këtë vit shfaq 23 filma të regjisorëve shqiptarë. Nga Shqipëria janë përzgjedhur në konkurrencë zyrtare 11 filma, nga Kosova 10, ndërsa regjisorët shqiptarë nga Maqedonia prezantohen me vetëm dy filma, bëhet e ditur në bazë të listës së publikuar nga bashkëthemeluesi dhe drejtori i festivalit, Agron Domi.

Ky edicion, i 14-i me radhë shënoi një numër rekord prej 1400 aplikimesh nga 120 vende të botës të cilët kanë pasur mundësinë të aplikojnë online në përjashtim të filmave shqiptarë. Prej kësaj konkurrence mjaftë të lartë janë përzgjedhur për të marr pjesë 225 filma.

Prej tyre 160 filma do të jenë në konkurrim në kategoritë: “Feature Film Competition”, “Short Film Competition”, “In Albanian Film Competition”, “Student Film Competition”, “Video Art” ndërsa 60 filma të tjerë të shkurtër e të gjatë do të shfaqen në kuadër të dy programeve speciale “Fokus”dedikuar kineastit të njohur Abbas Kiarostami, që u nda nga jeta vetëm tre muaj më parë.

Programi tjetër special “Panorama” do t’i dedikohet mjeshtrit të madh italian Ettore Scola. Të gjithë filmat që do të shfaqen në TIFF 2016 janë premiera kombëtare e disa prej tyre edhe premiera rajonale, europiane e botërore. Sivjet për herë të parë do të organizohet në Tiranë TIFForum në bashkëpunim me Torino Film Lab, një aktivitet rajonal për të nxitur prodhimin kinematografik në Shqipëri dhe bashkëprodhimet në rajon.

Janë përzgjedhur 8 projekte filmike nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Maqedonia, Serbia, Bullgaria, Mali i Zi që do t’i nënshtrohen ekspertizës së doktorëve të njohur në Europë që ka sugjeruar Torino Film Lab dhe distributorëve të pranishëm, që do të bëjnë të mundur realizimin me sukses të këtyre projekteve rajonale.

Shtatë juri ndërkombëtare të formuara nga regjisorë, skenaristë, producentë, distributorë, kritikë filmi, gazetarë, midis tyre edhe Visar Morina, Jamie Donoghue, Naser Shatrolli do të vlerësojnë 160 filma në konkurrim për çmimet. Festivali mbahet në datat 3 – 11 nëntor 2016 në Tiranë.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb