TIRANE- Kur vjeshta parala jmëron me ngjyra, TIFF troket me ciak-un magjik. Tirana International Film Festival rikthehet për t’u dhënë magji mbrëmjeve tuaja nga data 28 tetor-5 nëntor, në Kinema Millenium në Tiranë. Imazhet, personazhet, historitë, drita e projeksioneve dhe mijëra frame film janë në portat e kryeqytetit shqiptar. Tirana International Film Festival në edicionin e tij të 13-të jo vetëm vijon të mbetet besnik i dashamirësve të kinemasë, por edhe t’i japë qytetit atmosferën magjike të Artit të Shtatë. 4.200 aplikime filma nga 110 vende të botës që kanë synuar pjesëmarrjen në TIFF janë treguesi i sasisë por edhe rankimit të këtij festivali në listën “must” të Festivaleve rajonale të Kinemasë.

“Hollywood Foreign Press Association” e ka renditur Tirana International Film Festival mes 102 Festivaleve më të rëndësishme botërore për vitet 2015-2016. Këtë listim mund ta verifikoni lehtësisht edhe në filmat pjesëmarrës të këtij viti, ku nuk mungojnë filma që janë shfaqur dhe kanë fituar edhe çmime në festivalet më prestigjioze, si Kanë, Berlin, Venecia, Karlovy, Vari etj. Nëse do të na ndiqni me interes në një partneritet të veçantë bashkëpunimi, nuk do mungojnë historitë interesante, personazhet pikante dhe filmat e një cilësie shumë të mirë të kinemasë indipendente.

Programi, si në garën e filmave të gjatë artistikë, po ashtu edhe të shkurtër, është shumë i pasur me tituj si “Cash Only” nga Malik Bader, “Babai” i Visar Morinës, “Burrnesha” nga Laura Bispuri, “Xenia” nga Panos H. Koutras, “Banat, Il viaggio” nga Adriano Valerio, një sukses në Festivalin e Venecias, e shumë tituj të tjerë sugjestionues. Ndërkohë që një tribut i veçantë i kushtohet një prej personaliteteve të kinemasë italiane dhe botërore, siç është Pier Paolo Pasolini në “Pasolini Day”. Konkursi i këtij viti përmban tri seksione të veçanta: “Feature Film”, “Filmi i shkurtër” dhe “Filmi shqiptar”. Juria e filmit të gjatë përbëhet nga: Yorgos Tsemberopoulos (Greqi), Yoram Kahana (USA) dhe Srdjan Dragojevic (Serbia).

Ndërkaq, juria e filmit të shkurtër përbëhet nga Lendita Zeqiraj (Kosovë), Jacopo Chessa (Itali) dhe Dov Keren (Izrael), për të shkuar te Juria e Filmit Shqiptar: Nehir Tuna (Turqi), Elektra Venaki (Greqi) dhe Dimitar Nikolov (Maqedoni). Konkurrentë në “Feature Film” janë: “Across the Sea” nga Pierre Maillard, dramë, Zvicër- Shqipëri, 2015; “Amsterdam Express” nga Fatmir Koçi, dramë, romancë, Angli, Shqipëri, Holandë, Gjermani, 2014; “Babai” nga Visar Morina, dramë, Gjermani, Kosovë, Maqedoni, Francë, 2015; “Banat” nga Adriano Valerio, dramë, Itali, Rumani, Bullgari, Maqedoni, 2015; “Index Zero” nga Lorenzo Sportiello, Sci-Fi, Angli, Itali, 2014; “Pikadero” nga Ben Sharrock, komedi e dramë, Spanjë, Angli, 2015; “Raul” nga Matías Venables, dramë, Kili 2014; “She Comes Back on Thursday” nga André Novais Oliveira, dokumentar, Brazil, 2014; “Sworn Virgin” nga Laura Bispuri, dramë, Itali, Zvicër, Gjermani, Shqipëri, Kosovë, Francë, 2015; “Xenia” nga Panos H. Koutras, dramë, Greqi, Francë, Belgjikë, 2014.

Të gjitha programet ditore të festivalit TIFF kombinojnë filmat e gjatë e të shkurtër në të gjitha formatet dhe zhanret: fiction, dokumentar, animacion dhe eksperimental. I hapur për çdo regjisor nga e gjithë bota, TIFF tregon punën e re të kinematografisë nga regjisorë me emër dhe reputacion ndërkombëtar, si dhe punën e studentëve të talentuar dhe artistëve të rinj. TIFF jep kohë në orarin e tij të përditshme për klasa dhe seminare me profesionistë në industrinë film, përshtatur për studentët shqiptarë të kinemasë dhe filmave në zhvillim, programeve të veçanta dhe shfaqje, retrospektivën, homazh, nderimeve dhe të ftuar ndërkombëtarë. Qëllimi i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë është, mbi të gjitha, të krijojë një pikëtakimi mes filmave, artistëve dhe dashamirësve të kinemasë nga Shqipëria, Evropa e mbarë bota.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: