Sot në familjen e Partizanit është ditë e shënuar pasi tifogrupimi “Ultras Guerrils” ka ditëlindjen. Pikërisht si sot 10 vjet më parë, një grup djemsh të rinj u organizuan në ditët më të errëta të klubit të kuq, duke i premtuar besnikëri dhe duke e shoqëruar në ligat më të ulëta anembanë Shqipërisë.

Model për mënyrën e tyre të veçantë të mbështetjes, pa bojkotuar kurrë dashurinë për ekipin në çfarëdo situate. Nëpërmjet një postimi në faqen e tyre në Facebook, “Guerrils” premtojnë se do të vijojnë rrugën e tyre duke i qëndruar besnikë deri në fund zotimit të bërë 10 vite të shkuara.

Postimi I Ug
Postimi I Ug

Postimi i “Ultras Guerrils”:

10 vjet UG, 10 vjet pasion, përkushtim dhe sakrificë pa kërkuar asgjë pas. 10 vjet krah teje o Partizan me atë baner që është simboli i dashurisë më të pastër!

Do të donim të thonim shumë, por kësaj radhe do të jetë ndryshe sepse duhet të jetë ndryshe! Kemi lënë pas shpine një dekadë protagonizmi absolut në tifoskenën shqiptare dhe për këtë merita është e gjitha juaja, e çdo anëtari tonin, e çdo tifozi që i ka hapur qoftë njëherë krahët lart drejt qiellit për të rrahur shuplakat e për të nxjerrë nga shpirti fjalën më të shenjtë për ne: Partizan!

Meritë e të gjithëve ju që jeni ende krah nesh. Ju që e nisët nga ndeshja me Elbasanin dhe ju që keni ardhur rishtazi. Meritë e atyre që sot nuk janë më mes nesh, meritë e atyre që për një arsye apo një tjetër sot janë larg nesh. Ju të gjithë bashkë jeni UG-ja, shpirti i saj dhe burimi i sakrificës më të lartë së një tifozi.

Prandaj nga mendimi ynë duhet të jetë vetëm e ardhmja, ajo se çfarë duhet të bëjmë më shumë, ajo se çfarë duhet të japim më shumë, por gjithnjë në rrugën tonë, atë rrugë të cilës i kemi mbetur besnikë që ditën e parë dhe që nuk e shkelëm kurrë: Krah Legjendës në çdo situatë dhe pa kërkuar justifikim për të shmangur atë që vjen, sepse ne e papritura nuk na tremb dhe shpinën nuk do e kthejmë kurrë!

Gëzuar ditëlindjen UG!

Qofsh gjithnjë e pastër kristal ashtu siç je!

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb