Real Madrid mundi Manchester City në gjysmëfinale dhe iu bashkua Liverpool-it në finalen e Ligës së Kampionëve. Për City ishte një eliminim i bujshëm, zhgënjim i madh për Guardiolën dhe skuadrën e tij.

E hidhur ishte disfata edhe për tifozët e skuadrës, që u egërsuan në rrjetet sociale. Mbështetësit e Manchester City, në fakt shprehën zhgënjimin e tyre veçanërisht në Twitter, duke kritikuar veçanërisht trajnerin spanjoll dhe De Bruyne. Një tifoz ka shkruar:

“Një tjetër sezon i çuar dëm në Champions League, si e humbëm finalen me 2 gola të tjerë? Shumë zhgënjyese!” Një tjetër mbështetës shtoi: “Disa nga këta lojtarë kanë qenë fenomenalë gjatë gjithë sezonit, por në fund bënë një paraqitje të tmerrshme. Vërtet, ishin të gjithë zhgënjyes, madje edhe Guardiola me De Bruyne”.

“City hodhi poshtë diçka që e kishte plotësisht në dorë. Reali nuk gjuajti në portë për 90 minuta. Më pas, 2 gola në 2 minuta. City i mungonte plotësisht aftësia për të menaxhuar lojën….6 minuta para mbylljes së ndeshjes dhe pësoi 2 gola…”, është mesazhi i një tjetër mbështetësi të britanikëve.

“Sterling dhe Grealish ishin zëvendësime të tmerrshme… Performanca e dobët e mbrojtjes na la pa fjalë”, është kritika e një tifozi tjetër ndaj Guardiolës. Shumë kritika edhe për De Bruyne që “u fsheh gjatë gjysmëfinales së Champions League”. “De Bruyne vazhdon të zhduket në ndeshje të rëndësishme” dhe “De Bruyne ishte i tmerrshëm”, janë dy komentet e tjera në Twitter për belgun.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb