RUSI- Pas kundërshtimit të Partisë Komuniste ruse, tifozët të futbollit nga Meksika, kanë hequr dorë që të festojnë duke organizuar një paradë në Sheshin e Kuq të Moskës. Ata planifikonin që përmes kësaj parade të festonin kualifikimin e mëtejmë të kombëtares së tyre në Kupën e Botës.

Tifozët meksikanë kishin planifikuar që të zhvillonin një paradë në Moskë të titulluar “Dita e të Vdekurve”. Ata planifikonin që të marshonin në Sheshin e Kuq me kostume dhe skelete – festime të ngjajshme që bëhen në Meksikë çdo vit, për të nderuar të vdekurit.

Por, anëtarët e Partisë Komuniste ruse kanë refuzuar që meksikanët të zhvillojnë një performacë të tillë, të cilën e kanë cilësuar si “ritual makabër”. Ata kanë refuzuar që një paradë e tillë të mbahet në këtë shesh, ku gjendet edhe varri i Vladimir Leninit dhe heronjve të tjerë rusë.

Zëdhënësi i kësaj partie, Sergei Malinkovich ka thënë se anëtarët e kësaj partie e konsiderojnë Sheshin e Kuq si vend të “shenjtë” dhe se shumica e rusëve do të ndiheshin të ofenduar nëse një paradë e tillë do të mbahej në këtë hapësirë.

Edhe përfaqësues të Kishës Ortodokse ruse kanë shprehur kundërshtimin e tyre me paradën e tifozëve meksikanë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb