Komisioni i Disiplinës është mbledhur ditën e sotme dhe ka marrë në shqyrtim çështjet e javës së fundit të kampionatit dhe të Kupës së Shqipërisë. Bie në sy gjoba prej 1 milion lekësh të vjetër për Besëlidhjen. Gjoba vjen pasi gjatë takimit kundër Partizanit ditën e djeshme, tifozët kanë hedhur koret “Rama ik”, çka detyruan kryesorin Ziri të ndërpriste takimin dhe sipas rregullores, një ndërpreje e takimit nga kryesori për shkak të problemeve të shkak të sjelljes së tifozëve, parashikohet me gjobë në Kodin e Drejtësisë Sportive.

Gjithashtu mes vendimeve të tjera bien në sy ndëshkimet për Luftëtarin. Zyrtari i Luftëtarit, Artur Danaj, është pezulluar me tetë ndeshje, ndërsa klubi gjirokastrit duhet të dëmshpërblejë Tiranën për dëmet që tifozët kanë shkaktuar në “Selman Stërmasi”.

Vendimet e plota të Disiplinës

1. KF Besëlidhja, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të Nenit 65/1 të KDS dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) Lekë. Ky dënim do të zbatohet në bazë të parashikimeve te nenit 116/1/a të KDS.
2. Zyrtari i KF Luftëtari, Artur Danaj për ofendim ndaj zyrtarit të ndeshjes në bazë të nenit 48/2/a të KDS dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
3. KF Luftëtari detyrohet të dëmshpërblejë dëmtimet e shkaktuara brenda 15-ditëve në stadiumin “Selman Stërmasi” nga lojtarët/stafi përkatës sipas akt konstatimit të personave përgjegjës në stadium.
4. KF Vllaznia për sjellje të gabuar të spektatorëve në bazë të Nenit 65/3/c dhe 65/4/a të KDS dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) Lekë. Në rast përsëritje KF Vllaznia paralajmërohet se do të jetë objekt i masave të përshkallëzuara sipas KDS.
5. KF Oriku detyrohet të dëmshpërblejë brenda afatit prej 15-ditëve dëmtimet e shkaktuara në stadiumin “Elbasan Arena” nga ekipi i KF Oriku sipas akt konstatimit të personave përgjegjës në stadium.
6. Ekipi i KF Iliria për dështim në organizimin e ndeshjes dhe sjellje të gabuar të spektatorëve në bazë të Nenit 63/1/c, Nenit 65/4/c të KDS dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pa spektatorë.
7. Zyrtari i KF Turbina Bledar Malaj për sjellje të gabuar ndaj zyrtarëve të ndeshjes në bazë të Nenit 55/2 të KDS dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
8. Zyrtari i KF Turbina E. Belshi per sjellje të keqe ndaj zyrtarit të ndeshjes në bazë të Nenit 48/2/a te KDS dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
9. Pranimin e kërkesës së Lojtarëve të KF Teuta Fabjan Beqja dhe Amer Duka. Pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit. Në bazë të Nenit 32/4/5 të KDS lojtarët vendosen në provë për një afat 6 muaj dhe në rast të përsëritjes së shkeljes disiplinore gjatë periudhës së provës denimi i pezulluar i shtohet dënimit të ri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb