Ditën e djeshme grupimi më i madh që mbështet kombëtaren e Shqipërisë, Tifozat Kuq e Zi, me anë të një deklarate shprehën indinjatën e tyre për masat e rrepta që Shteti Shqiptar mori për ndeshjen kundër Izraelit. Përveçse se nuk ishin dakort me ato kushte, pohuan se në ndeshjet në vazhdim nuk do të jenë në mbështetje të Shqipërisë për sfidat që do të luaj brenda.

Menjëherë pas vendimit të befasishëm, FSHF që nuk mund ta pranoi këtë situatë iu bëri thirrje “TKZ” të rishyrtonin vendimin e tyre. Me të drejtë federata kërkon që lojtari më i rëndësishëm i kombëtares të mos largohet. Thirrjet e tyre nuk ranë në vesh të shurdhër, por përsëri situata do të mbetet e njëjtë.

Zemra e tifozerisë shqiptare kërkon respekt dhe heqjen e masave drastike nga ana e policisë në dëm të tyre. Disa prej drejtuesve të tifogrupit të Kombëtares Shqiptare, bëjne të qarta pikat ku nuk bien dakort me sjelljen e forcave të rendit. Gerti Peshkopia, Sajmir Çollaku dhe Gentian Xhengo sqarojnë shkaqet e vendimit drastik të marrë nga “Tifozët Kuqezi”.

Gerti Peshkopia: ”Janë marrë masa drastike ndaj nesh. U ushtrua presion shumë i madh. Këto masa nuk janë regjistruar vetëm në ndeshjen e fundit por po përsëriten në vazhdimësi.

Gentian Xhengo: ”Gjithçka nisi që në ndeshjen me Portugalinë dhe vazhdoi me Serbinë e me radhë. Heqja e simboleve por edhe ndalimi i bluzave dhe banderolave janë disa nga shkaqet pse e kemi marrë këtë vendim.

Për Sajmir Çollakun, “Tifozët Kuqezi” meritojnë trajtim ndryshe, ashtu siç ndodh në stadiumet jashtë vendit ku ata kanë qenë të pranishëm përherë.
Sajmir Çollaku: “Ne nuk jemi terroristë. Kërkojmë të mbështesim Kombëtaren dhe duam një trajtim sa më normal, ashtu siç ndodh në çdo stadium jashtë”.
Për “Tifozët Kuqezi”, shkaktari kryesor i kësaj situate është policia dhe bojkoti do të prishet vetëm nëse forcat e rendit nuk do të veprojnë me dorë të hekurt ndaj tyre.

Gerti Peshkopia: ”Federata ka punën e saj. Ne nuk merremi me federatën. Gjithçka që kërkojmë është që të mos ketë policë në tribuna. Vendimi për largimin nga stadiumi i takon kryesisë por jam i sigurt se do të jetë në fuqi për LIhtenshtejnin dhe të gjitha ndeshjet miqësore që Shqipëria do të luajë në vendin tonë”.

Në fund, përfaqësuesi i tifogrupit “Tifozët Kuqezi” ka një mesazh të qartë ku kërkon që të gjitha simbolet e lejuara nga UEFA, të mos pengohen nga policia.
Nëse Tifozët Kuqezi nuk do të bëjnë një hap pas në qëndrimin e tyre, atëherë ata nuk do të jenë të pranishëm në ndeshjen e fundit eliminatore të shtëpisë kundër Lihtenshtejnit por edhe në miqësoret që do të zvillohen deri në fund të vitit tjetër.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: