Tifozja kuq e zi Irid Oxa komentohet gjithmonë edhe më shumë për protagonizmin e saj në rrjetet sociale, që pas “Euro 2016”. Mikesha e ngushtë e ish-lojtares së “Big Brother” Rike Roci në këtë intervistë për “Panorama Plus” flet për angazhimin e ri në botën e muzikës, planin për të marrë pjesë në një “reality show”, jetën në Milano dhe dashurinë.

Fama jote si tifoze kuq e zi, tashmë ka kaluar në plan tjetër. Pasi të pamë në klipin e një grupi muzikor francez, ku do të shohim sërish?

Ishte eksperiencë shumë e bukur të bashkëpunoja me grupin “BNF music”, jashtë Italisë. Për momentin, kam disa plane, por që bëhet fjalë edhe për ndonjë “reality show”. Të shohim.

Duket se miqësia me tifozen tjetër kuq e zi, Rike Rocin, po vazhdon mjaft e ngushtë. Ka ndodhur që edhe jeni konfliktuar, apo s’keni folur me njëra-tjetrën?

Normale që miqësia jonë vazhdon. S’kemi pas konflikte asnjëherë, madje, kemi qenë shumë të angazhuara me punë dhe, për fat të keq, s’jemi takuar shpesh si dikur, por flasim çdo ditë në telefon.

Konsultoheni për lidhjet tuaja të dashurisë? Kush është më e ndjeshmja dhe kush më aventurierja nga ju të dyja?

(qesh) Poooo, vetëm se në fund secila zgjedh zemrën, asnjëherë këshillat e njëra-tjetrës.

Edhe pse jetoni në Itali, duket se dini t’i mbani mirë lidhjet me shqiptarët. A ka djem nga Shqipëria, që duan të kenë lidhje me ju?

Unë jam shqiptare, sado të kem vite që jetoj këtu në Itali. Pra, lidhjet me Shqipërinë apo me shqiptarët nuk i humbas. Di të them vetëm që sa për lidhjet me shqiptarë kam qenë shumë e zhgënjyer. Jam e sinqertë të them që ka shumë që duan njohje apo lidhje me mua, por unë s’dua asnjë.

Po futbollistët e Kombëtares ndodh që duan të të kenë si hajmali fatsjellëse në ndeshjet e tyre?

(Qesh) Po, ka qenë një prej tyre, po s’po përmend emër.

Ndalojmë pak te jeta private, a je e dashuruar për momentin dhe është dashuri e re apo e vjetër?

Hmmm! Me kalimin e kohës kupton në qoftë se të mungon apo mund të ecësh pa të, ndërkohë që ai person lufton çdo ditë për të pasur sërish të tijën. Jam njeri që fal, por nuk harroj dhe për momentin po marr çdo gjë avash-avash. Preferoj të mos përmend emra.

Ti çfarë konsideron vërtet seksi te qenia e një mashkulli?

Nuk shoh bukurinë te meshkujt. Për mua, seksi është mënyra e komunikimit dhe respektit që mashkulli ka ndaj meje. Është shumë e rëndësishme kjo.

Komplimenti më i bukur, që ke marrë si e tillë?

Komplimentet janë të shumta, por nuk u kushtoj më rëndësi, pasi kam qejf kur komplimenti lind jo vetëm nga një anë.

Burimi:http://www.panorama.com.al/sport/tifozja-kuq-e-zi-preferoj-te-huajt-pasi-djemte-shqiptare-jane-zhgenjyes-ne-lidhje/
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb