Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, gjatë vizitës në Bogotë theksoi se Kolumbia paraqet lojtarin kyç për kthimin e demokracisë në Venezuelë, raporton Anadolu Agency (AA).

Tillerson, i cili në kuadër të vizitës në Amerikën Latine qëndron në Kolumbi, në kryeqytetin e vendit, Botogë, u prit nga presidenti i këtij shteti, Juan Manuel Santos.

Në konferencën e përbashkët për mediat, të mbajtur pas takimit, Tillerson tha se gjatë takimit me Santos është biseduar për situatën në Venezuelë, duke porositur se “Kolumbia është lojtari kyç kur është fjala për kthimin e demokracisë në Venezuelë”.

Santos theksoi se me Tillerson ka zhvilluar bisedë shumë konstruktive dhe të frytshme, si dhe kanë biseduar për implementimin e marrëveshjes së paqes mes FARC-un, luftën kundër trafikantëve të drogës dhe situatën politike në këtë vend.

Lideri kolumbian u përqendrua edhe në situatën në Venezuelë duke thënë se revolucioni për të cilin flet presidenti Nicolas Maduro “ka dështuar”, dhe se kriza e rëndë e brendshme në Venezuelë ka reflektim negativ mbi Kolumbinë, por edhe mbi tërë rajonin.

“Kriza e rëndë humanitare të cilën regjimi diktatorial nuk dëshiron ta pranojë, tani u bashkua me zgjedhjet presidenciale. Këto zgjedhje për ne nuk paraqesin asgjë, meqë nuk japin dhe as që do të japin garanci. Maduro asnjëherë nuk do të pranojë të hyjë në zgjedhje të lira dhe transparente, meqë është i vetëdijshëm se do t’i humb”, tha Santos.

Ai porositi se të gjithë dhimbjen që shkakton diktatura në Venezuela e vuan populli i këtij vendi.

Kur është fjala për luftën kundër trafikimit të drogës, Santos theksoi se forcat e sigurisë të vendit të tij vitin e kaluar konfiskuan 416 tonë kokainë, ndërsa në periudhën prej tetë viteve të fundit janë konfiskuar 1.800 tonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: