Vlora do të ‘pushtohet’ nga ritmi i traditës kulturore, me këngë dhe valle popullore nga më shumë se 300 artistë nga vende të ndryshme të botës nga 11-13 maj në edicionin e 11 të Festivalit “Aulona Inter Folk”.

Ky festival është një manifestim i jashtëzakonshëm i folkut vendas, europian dhe botëror dhe një promovim fantastik i sezonit turistik në qytetin bregdetar.

Gjatë tre ditëve të festivalit, artistët do të performojnë në sheshin “Lungomare”, në Vlorë.

Drejtori i Përgjithshëm i këtij festivali, Sejmen Gjokoli në një intervistë për ATSH-në tha se “në këtë edicion do të marrin pjesë grupe folklorike nga Anglia, Finlanda, Kroacia, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bullgaria, si dhe do të jetë e ftuar këngëtarja kosovare Shkurte Fejza si dhe grupi i valleve nga SHBA”.

Drejtori i festivalit shprehet se “ky aktivitet promovon jo vetëm kulturën dhe folkun, por mbi të gjitha edhe zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Aulona Folk Festival lindi si pasion, por edhe si një obligim për qytetin ku jetoj, për të instaluar një ngjarje kulturore nga ato që në Europë e më gjerë bëhen me shumicë. Kam pasur raste që me grupin “Bilbili” që e organizoj për plot një çerek shekulli, fundi i këtij viti shënon 25-vjetorin e themelimit, të marr pjesë në festivale që edicionet i afrohen treshifrorit. Ndërkohë në hapësirën shqiptare ky i Vlorës konsiderohet më i vjetri”, – nënvizon Gjokoli.

Aulona Folk Festival, vijon Gjokoli, merr përsipër të shkëmbejë e integrojë përmes këngëve e valleve kulturën tradicionale që vjen nga popuj e kombe të ndryshme, kuptohet edhe në formë spektakolare.

“Mjafton të them se vetëm për shkak të këtij aktiviteti kanë ardhur në Vlorë mbi 85 ansamble folklorike, me rreth 3500 pjesëmarrës, nga 25 vende të Ballkanit, Europës e Azisë, mes të cilave nga Italia, Sllovakia, Polonia, Kroacia, Bjellorusia, Letonia, Bosnja, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Bullgaria, Greqia, Turqia, Kina”, shprehet ai.

Duke e cilësuar folklorin shqiptar si magjik, Gjokoli thekson se “kemi vërtet folklor magjik, por po aq është edhe delikat. Lefter Çipa, thotë që kënga polifonike është xanxare. Unë do të thosha që i tërë folklori ynë është i tillë, xanxar. Të kuptohemi, bëhet fjalë për folklorin që vjen nga burimi. Jo ai që shumë herë del nga dyer të qelqta laboratori”.

Sipas tij, Aulona Inter Folk Festival është i veçantë mes të tjerësh për nga standardet, por edhe qëllimi.

“Askush tjetër ndër festivalet apo manifestimet folklorike në trojet shqiptare nuk ka mundur të derdhë kaq shumë ngjyra e ritme të folkut europian sa ky i Vlorës. Po edhe të dytë që të jetë pjesë e një axhende aktivitetesh kulturore të pushtetit vendor (ky mbetet edhe mbështetësi kryesor financiar) në hapje të sezonit turistik në çdo nisje, nuk ka”, tha Gjokoli.

Në Vlorë, shton ai, ngjizja e turizmit kulturor me atë natyror, të detit, rërës e malit ndodh fare natyrshëm.

“Se këtu në Vlorë, ndodhen të bëra bashkë të gjitha: deti e toka, Adriatiku e Joni, Radhima e Orikumi, Kanina e Llogoraja, plazhet e Karaburunit e Zvërnecit e më tej, në det, Sazani si “roje” përballë. Të mos harrojmë, artistët që vijnë në gjirin e Aulonës, janë njëherësh edhe turistë, por edhe eksplorues të kujdesshëm të aseteve tona kulturore, historike e turistike”, shprehet ai.

I pyetur për risitë që sjell këtë vit ky festival, Gjokoli thekson se “këtë vit festivali do të ketë edhe një tjetër risi që synon të kthehet në një traditë. Duke diskutuar me koreografin e Ansamblit të këngëve e valleve popullore, Genc Kastrati, rreth disa përvojave ndërkombëtare vendosëm që për herë të parë të krijojmë brenda festivalit një seminar për mësimin e valleve popullore shqiptare turistëve të huaj të ardhur enkas për këtë event, si dhe shkëmbimin kulturor mes pjesëmarrësve duke i dhënë festivalit edhe dimensionin interaktiv ku spektatori bëhet pjesë e skenës, një workshop folku”.

Kështu, shton ai, të huajt gjatë ditëve të festivalit do të shijojnë bukuritë e aktivitetit dhe qytetit, por do të mësojnë edhe vetë të vallëzojnë shqip e që në një nga mbrëmjet koncertore do të performojnë në skenë një nga vallet e mësuara gjatë ditëve.

Aulona Festival bëhet edhe i pari festival i këtij lloji në Shqipëri, i cili synon të përfshijë spektatorin në skenë e të kthehet në një atraksion turistik më vete.

“Siç këtë herë ata që do ngjiten në skenë, në natën e dytë të festivalit. Do të jetë një grup turistësh nga SHBA, të cilët do të udhëtojnë enkas për në Vlorë, për turizëm dhe festival. Ka edhe aspekt të axhendës turistike ky edicion. Artistët pjesëmarrës në festival do të udhëtojnë me anije turistike nga porti i Vlorës drejt plazheve të Sazanit dhe Karaburunit”, tha Gjokoli.

Festivali Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Interfolk”, që është pjesë e aktiviteteve në çelje të sezonit turistik në Vlorë, vlerësohet nga specialistët si një nga aktivitetet më të spikatura në trevat shqiptare dhe më i madhi në Shqipëri në llojin e vet dhe me një gjeografi pjesëmarrjeje që shtrihet në Europë e Azi.

Në edicionin e 10-të të “Aulona Inter Folk” u ngjitën në skenë mbi 300 artistë. Ndërsa ansambli “Epirus” nga Selaniku, Greqi, u shpall fitues i atij edicioni.(Atsh)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb