Familja Ruçi nga Delvina është bërë sërish objekt i hetimeve të policisë.

Fillimisht dy djemtë e familjes Aleksandër e Klaudion u arrestuan si autorë të dyshuar të goditjes për shkak të detyrës të punonjësve te shtrimit të linjës së ujësjëllësit në Delvinë dhe shkatërrimit të makinës së tyre.

Në të njëjtën ditë, nëna e tyre, Hamide Ruçi denoncoi se një nga këta punonjës e kishte dhunuar atë, ndaj dhe kishte nisur konflikti me djemtë.

Ditë më pas Prokuroria dhe Gjykata e Sarandës, pavarësisht akuzave të rënda dhe precedentëve të shumtë të Aleksandrit, i liroi dy të rinjtë nga qelia.

Por familja Ruçi akuzoi se për lirinë e djemve, Englentin Çuni, një 44-vjecar nga Delvina i njohur si “Tini i Mones”, i kishte kërkuar para me argumentin se “kishte ndërhyrë në prokurori për lirimin e djemve”.

Çuni u arrestua nga policia në flagrancë, duke marrë nga familja Ruçi një sasi prej 200 mije lekësh të reja të cilat i kërkonte për “ndërhyrjen” në prokurori.

Edhe pse policia në komunikatën ditore e quajti një mashtrim te Çunit pretendimin e tij se kishte ndërhyrë për lirimin e vëllezërve, 66-vjeçarja Hamide Ruçi në reagimet e saj në Facebook shkruante: “ka akoma po me radhë  6 milion po  2 i mori ditën e arrestimit ky është sekseri ka më të mëdhenj po me radhë historia vazhdon”. Ditën e djeshme megjithatë në Komisariatin e Delvinës është paraqitur sërish Hamide Ruçi.

Ajo ka denoncuar se është kërcënuar me fjalë nga familjare të të arrestuarit Englentin Çuni. Pas denoncimit të saj, Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Delvinë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprën penale “Kanosja”, në ngarkim të shtetases S. Çuni, 37 vjeçe, banuese në Delvinë, pasi ka kanosur me fjalë shtetasen Hamide Ruçi, 66 vjeçe, banuese në Delvinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb