Policia e Sarandës ka arrestuar 44-vjecarin Englentin Çuni nga Delvina në momentin që po merrte 200 mije lek të reja nga familja Ruçi në Delvinë, me pretendimin se kishte ndikuar në vendimin e Prokurorisë dhe Gjykatës së Sarandës për lirimin nga qelia të Aleksandër alias Erjon Ruçit dhe Klaudion Ruçit të arrestuar në 8 maj si të dyshuar për dhunimin e disa punonjësve të hapjes së linjës së ujësjellësit në Delvinë dhe prishjen e automjetit të tyre.

Në fakt çuditërisht edhe pse të arrestuar për “goditje për shkak të detyrës” dhe “shkatërrim prone”, dy vëllezërit Ruçi ishin lënë të lire nga Gjykata e Sarandës, edhe me kërkesë të Prokurorisë. Madje njëri nga të arrestuarit, pikërisht 39-vjecari Aleksandër alias Erjon Ruci rezulton i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”, “Kundërshtim i forcave të policisë”.

Madje ka qenë i arrestuar për grabitje në 1997, për plagosje me thikë në 2009 dhe në 2015 për “vjedhje me armë”, vepra për të cilat nuk dihet nëse është dënuar. Megjithatë kjo nuk e ka penguar drejtësine për ta lënë sërish të lirë 39-vjecarin.

Liria e dy vëllezërve megjithatë çoi në qeli një tjetër person, i cili pretendonte të paguhej nga familja pasi kishte ndërhyrë në Prokurori për lirimin e tyre. Në qytetin e Delvinës, 44-vjeçari Englentin Çuni njihet si “Tini i Mones”. Për delvinjotet ai rezulton një person qe vazhdimisht nder vite ka pretenduar madje edhe haptazi se ishte bashkëpunëtor dhe informator i Policisë së Shtetit.

Të njëjtin opinion për të kanë edhe personazhe me precedentë penale në Sarandë, Delvinë e më gjerë. Madje ai rezulton se para disa kohesh ka hedhur një video në Tik-Tok duke filmuar patrullën e policisë në qytetin e vogël të Delvinës me pretendimin se “do i denonconte në SHKB”. Tashme me arrestimin e fundit, Çuni nuk dihet nëse në fakt ka qenë informator apo mashtrues.

41- vjeçari Englentin Çuni në shkurt 2019 është arrestuar në Elbasan me 3 kilogram “cannabis sativa”. Ai pasi është pikasur në Qafë Thanë duke drejtuar mjetin tip “Audi”dhe pasi nuk iu është bindur punonjësve të Policisë për të ndaluar, ata janë vënë në ndjekje të tij dhe kanë bërë ndalimin e këtij shtetasi në hyrje të qytetit të Elbasanit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb