Shqipëria realizoi emetimin e Eurobondit të gjashtë në historinë e saj.

Eurobondi 5-vjeçar në shumën 600 milionë euro i emetuar të martën ishte i dyti për nga vlera, pas emetimeve të viteve 2020 dhe 2021, që kishin një vlerë totale prej 650 milionë eurosh secila.

Për nga çmimi, Eurobondi i kësaj jave ishte emetimi i dytë më i shtrenjtë, pas Eurobondit fillestar, të emetuar në vitin 2010. Edhe Eurobondi i parë, i vitit 2010 kishte maturitet 5-vjeçar dhe u emetua me një yield prej 7.625%.

Ndërkohë, emetimi i fundit me të njëjtin maturitet, atë 5-vjeçar, i realizuar nga Qeveria Shqiptare ishte kryer në vitin 2015. Në atë rast, yield-i i obligacionit rezultoi 5.875%, në nivel lehtësisht më të ulët në raport me yield-in prej 6.125% të obligacionit 5-vjeçar që u emetua dje.

Nga viti 2018 e në vazhdim, qeveria shqiptare ndoqi një strategji të zgjatjes së maturitetit të obligacioneve. Emetimet e viteve 2018 dhe 2020 kishin maturitet 7-vjeçar, ndërsa ai i vitit 2021 kishte maturitet 10 vjeçar.

Kjo zgjatje mbështetej në konsolidimin e Shqipërisë si huamarrës në tregjet ndërkombëtare, por edhe në maksimalizimin e përfitmeve nga epoka e normave të ulëta historike të interesit.

Eurobondi 7-vjeçar i vitit 2018 u emetua me një yield 3.55%, ai i vitit 2020 me një yield prej 3.625%, ndërsa Eurobondi 10-vjeçar i vitit 2021 me një yield prej 3.75%.

Në emetimin e këtij viti, qeveria shqiptare ka vendosur të ulë sërish maturitetin e instrumentit të huamarrjes në pesë vjet, veprim që duket se kishte si qëllim kryesor uljen e kostos së financimit, në kushtet kur normat e interesit janë rritur ndjeshëm, si përgjigje e bankave qendrore dhe tregjeve ndaj inflacionit të lartë.

Kuponi prej 6.25% dhe yield-i prej 6.125% i Eurobondit shqiptar është në nivele të ngjashme me ato të siguruara nga Maqedonia e Veriut, në Eurobondin e fundit të muajit shkurt. Por, Eurobondi maqedonas kishte një maturitet më të shkurtër, katërvjeçar, ndaj duke konsideruar këtë ndryshim, çmimi i siguruar nga Eurobondi shqiptar në harkun e katër muajve më pas mund të vlerësohet pak më i mirë.

Në fund të tremujorit I 2023, stoku i Eurobondeve i emetuar nga qeveria shqiptare kishte vlerën e 1.8 miliardë eurove, ndërsa me emetimin e këtij muaji ky stok rritet në 2.4 miliardë euro.

Gjithashtu, ky emetim e çon stokun total të borxhit në euro në vlerën e rreth 4.6 miliardë eurove, shumë që përbën rreth tret të katërtat e borxhit të jashtëm ose afërsisht sa 34% e borxhit publik (totali i llogaritur si stoku i marsit 2023 plus vlerën e Eurobondit të kësaj jave).

Efekti i Eurobondit të fundit në ecurinë e borxhit publik pritet të jetë afatshkurtër, pasi, sipas Ministrisë së Financave, pjesa më e madhe do të përdoret për shlyerjen e borxheve që maturohen gjatë këtij viti. Në fund të tremujorit I, borxhi publik vlerësohej sa 63.3% e PBB-së.

Huamarrja e qershorit mund ta rrisë përkohësisht nivelin e borxhit në tremujorin II, ndërsa deri në fund të vitit pritet sërish një ulje graduale, falë shlyerjes së detyrimeve të tjera, por edhe efektit të fortë të kursit të këmbimit.

Kursi i këmbimit të Euros ndaj Lekut ka pësuar rënie me gati 11% krahasuar me një vit më parë, duke shkaktuar, mes të tjerash, një ndikim të fortë në uljen e stokut të borxhit publik, llogaritur në Lekë. /Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb